Këshilltari i Biden për koronavirusin: Duhet një izolim total për 4-6 javë

Këshilltari i Biden për koronavirusin  Duhet një izolim total për 4 6 javë 1100x620

Mbyllja e bizneseve dhe mbulimi i pagave të atyre që do të humbin vendet e punës, për katër deri në gjashtë javë, do të ndihmonte që të mbahej nën kontroll pandemia e koronavirusit dhe rikthimi i ekonomisë në shinat e duhura deri në miratimin dhe shpërndarjen masive të vaksinës.

Kështu mendon Dr. Michael Osterholm, i prezantuar së fundmi si këshilltar i Joe Biden për pandeminë. Osterholm, i cili punon si drejtor i Qendrës së Studimeve dhe Politikave të Sëmundjeve Infektive në Universitetin e Minesotës, tha gjithashtu, në fillim të javës, se Shtetet e Bashkuara po shkojnë drejt “ferrit të Covid-19”.

Dr. Michael Osterholm

Njerëzit janë lodhur duke mbajtur maskën dhe duke u distancuar fizikisht, tha ai për CNBC, të mërkurën. Ndërsa në një prononcim për Yahoo Finance tha se izolimi total kombëtar do të ulte numrin e rasteve të reja dhe të shtrimeve në spital në nivele të përballueshme deri në daljen e vaksinës.

“Ne mund të paguajmë për një paketë financiare për të mbuluar rrogat e humbura të individëve dhe kompanive në çdo qytet, konte dhe shtet. Nëse e bëjmë këtë, atëherë mund të izolohemi për katër deri në gjashtë javë”, tha ai.

Osterholm u emërua si pjesëtar i bordit të këshilltarëve të Biden, të hënën, i përbërë nga 12 anëtarë, mes tyre profesorë të mjekësisë dhe sëmundjeve infektive, por edhe dr. Rick Bright, një ekspert vaksinash i cili u dorëhoq muajin e kaluar nga skuadra e këshilltarëve të Presidentit Trump për pandeminë.