Korçë, shtohen pacientët me ankth e probleme mendore pas infektimit me Covid-19

Pandemia Covid-19, krahas problemeve të shëndetit, është duke shkaktuar edhe çrregullime mendore, kryesisht ankth.

Ky fenomen po shënon rritje të rasteve edhe në Qarkun e Korçës, i konsideruar si zonë e kuqe sa i takon nivelit të infektimeve me Covid-19. Sipas mjekëve psikiatër, problemet me ankthin shfaqen më së shumti pas infektimit me koronavirus.

Përballë kësaj situate, mjekët psikiatër në Korçë shprehen se nuk ka një strategji të saktë, ashtu sikurse ka një mungesë si të specialistëve, ashtu edhe të infermierëve të specializuar për trajtimin e problemeve të shëndetit mendor.

Në Qarkun e Korçës janë të kartelizuar 4500 persona me probleme të shëndetit mendor, ndërkohë që bashkë me personat që nuk paraqiten tek mjeku, numri mendohet të jetë shumë herë më i lartë.