Ligji për metrologjinë, Meta kërkon nisjen e hetimeve nga SPAK

Ilir Meta  1100x620

Presidenti Ilir Meta i ka dërguar një letër Prokurorisë së Posaçme ku i kërkon që të nisë veprimet verifikuese dhe hetuese në lidhje me procesin e draftimit, propozimit, shqyrtimit, dhe miratimit të ligjit “Për metrologjinë”.

Sikurse arsyetonte gjatë kthimit të ligjit për rishqyrtim në Parlament, edhe në letrën drejtuar SPAK, presidenti thotë se “ky ligj është me përmbajtje të lartë antikushtetutshmërie, me parashikime në shkelje flagrante të parimeve themelore kushtetuese të funksionimit të tregut të lirë dhe konkurrues”.

Ky ligj, sipas Metës, duket se synon “të ligjërojë një skemë për qëllime klienteliste, në dhënien me koncesion të shërbimit shtetëror te subjektet private, në mënyrë të pakontrolluar, dhe pa negociuar asnjë kusht për mbrojtjen e interesit shtetëror”.

Nisur nga niveli shumë i lartë i hapësirave që lejon ky ligj për praktika abuzive me dhënien  e autorizimeve dhe ofrimit të shërbimit publik nga subjekte private, si President i Republikës, përmes kësaj shkrese i bëj thirrje Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) të nisë menjëherë hetimet për të verifikuar se si është ndërmarrë dhe shqyrtuar nisma nga qeveria dhe cilat kanë qenë arsyet reale dhe autorët që e kanë shtyrë apo keqinformuar Kuvendin e Shqipërisë të pranojë këtë rregullim ligjor në dëm të interesit publik, duke vendosur përpara përgjegjësisë të gjithë ata që kanë iniciuar, punuar, ndihmuar, lehtësuar dhe kanë bërë të mundur që kjo nismë të shohë dritën e miratimit në Kuvend dhe t`i hapë rrugën praktikave abuzive me pasurinë publike dhe të ardhurave të qytetarëve gjatë zbatimit në praktikë.

Nisur nga niveli i hapësirave të mëdha që lënë parashikimet e këtij akti për abuzime me qëllime klienteliste, krijohet dyshimi i bazuar se administrata shtetërore ka qënë nën ndikim apo presion për propozimin deri në Kuvendin e Shqipërisë të parashikimeve ligjore që mundësojnë dhënien e autorizimeve duke shmangur kërkesat e legjislacionit në fuqi që garanton konkurrencën e lirë e të ndershme, barazinë e palëve në procedurat konkurruese, kontrollin shtetëror mbi mënyrën e ushtrimit të shërbimeve publike të detyrueshme nga subjekte private.

Pjesë nga letra që Presidenti i ka dërguar SPAK-ut