“Lufta” për karkaleca deti në Mesdhe

Prej tre muajsh tashmë, 18 peshkatarë italianë, nga një qytezë e vogël në jug të Sicilisë, mbahen të burgosur nga autoritetet libiane. Arsyeja: peshkimi në ujëra që Libia i pretendon si të vetat, por që për italianët janë ujëra ndërkombëtarë.

Peshkatarët thonë që janë në të drejtën e tyre, për sa kohë që qëndrojnë 12 milje larg bregut libian, një distancë e njohur nga Organizata e Kombeve të Bashkuara. Por edhe pse Libia është në luftë civile, me disa fraksione që kontrollojnë vendin, të gjithë bien dakord që të njohin një shpallje të ish-diktatorit Muammar al-Gaddafi në vitin 2005 për shtrirje të ujërave territorialë të vendit të tij në 74 milje.

Sipas qeverisë rajonale siciliane, në dekadat e fundit rreth 300 peshkatarë janë burgosur, 150 varka janë konfiskuar dhe është shkaktuar një dëm me vlerë mbi 100 milionë euro.

Marina italiane dikur patrullonte në këto ujëra për të siguruar mbarëvajtjen e punës së peshkatarëve, por ata thonë se kjo nuk ndodh më. Madje, shtojnë ata, në disa raste sulmet e libianëve kanë ardhur përmes varkave të patrullimit që u janë dhënë nga vetë qeveria italiane për të luftuar dhe ndaluar trafikun e emigrantëve nga Afrika në Europë.


Çmimi më i madh janë karkalecat e mëdhenj të detit, të cilët shiten në tregun me shumicë me rreth 50 euro kilogrami. Një anije mesatare siguron çdo vit rreth 35 mijë kilogramë të tillë në vit, por çdo udhëtim – që zgjat 30-40 ditë – ka një kosto prej 50 mijë eurosh. Kështu që, për varkat italiane të cilat sekuestrohen nga libianët, humbja është tepër e madhe.

Kështu ndodhi edhe natën e 1 shtatorit, ku nga 9 varka nga Mazara, që po lundronin rreth 40 milje larg Bengazit, 2 nuk arritën të shpëtonin. 18 persona u ndaluan nga roja bregdetare libiane dhe sot vijojnë ende të qëndrojnë të izoluar, të akuzuar edhe për trafikim të lëndëve narkotike.

Njerëzit e “të fortit” që kontrollon Bengazin, Khalifa Haftar, i akuzojnë peshkatarët italianë që kanë hyrë në zonë ushtarake, por mediat italiane shkruajnë se ky i fundit kërkon të këmbejë peshkatarët me 4 shtetas libianë, të arrestuar nga italianët për trafik të qenieve njerëzore në vitin 2015. Edhe pse ministri i Jashtëm italian, Luigi di Maio, thotë se po punon për kthimin e peshkatarëve, shton se Italia nuk do të shantazhohet. Deri sa kriza të zgjidhet, familjarët e peshkatarëve luten për kthimin e të afërmve të tyre shëndoshë e mirë.