Maskat që ju mbrojnë, por nuk ju fshehin fytyrën

Dikur, Jorge Roriz merrej me krijimin e maskave dhe kostumeve për Karnavalet e Rios, por tani, në mes të pandemisë, 65-vjeçari ka zgjedhur të përdorë artin e tij për t’i dhënë një “fytyrë” njerëzve me maskë.

Roriz pikturon maskat mbrojtëse me portretin e fshehur të personave që do t’i mbajnë ato, me një përpikmëri të jashtëzakonshme. E kur flet, duket si një vetrilokuist, pasi goja nuk lëviz. “Përdor këtë maskë për të mos humbur identitetin tim”, thotë Roriz për Reuters.

Ai pikturon pjesën e poshtme të fytyrës së personave, duke i kushtuar vëmendje të shtuar detajeve si tonaliteti i ngjyrës së lëkurës, apo buzët. Dhe maskat e tij janë bërë tepër të kërkuara mes atyre që nuk duan të fshehin fytyrën, por njëkohësisht duan të mbrohen nga koronavirusi.

“Është jetike që njerëzit të kujdesen për veten, është gjë e mirë që përdorin maska”, thotë ai. “Por fatmirësisht, njerëzit kanë reaguar pozitivisht, qeshin me këto maska. Diçka që duhet të sillte trishtim, po sjell, në fakt, gëzim”.