Ndihmë për ekonominë, pandeminë dhe integrimin, BE paketë 103 milionë euro për Shqipërinë

MB DIALOGU BRUKSEL frame 54 1100x620

Komisioni Evropian njofton se miratuar një paketë të 103.3 milionë euro për të mbështetur Shqipërinë. Programi i sapomiratuar përqendrohet në çështjet thelbësore të tilla si anëtarësimi në BE, sundimi i ligjit, të drejtat themelore dhe qeverisja e mirë. Për më tepër, ofrohet ndihmë për të adresuar më tej pasojat e krizës COVID-19.

Komisioneri për Zgjerimin, Oliver Varhelyi deklaroi për këtë çështje se: “Bashkimi Evropian vazhdon të qëndrojë pranë Shqipërisë. Përballë krizës COVID-19, ne kemi bërë rregullime të fondeve ekzistuese për të ndihmuar Shqipërinë t’iu rezistojë sfidave aktuale sociale dhe ekonomike. Në të njëjtën kohë, fondet e BE synojnë të mbështesin reformat kryesore që Shqipëria duhet të zbatojë për të ecur përpara në rrugën e saj Evropiane. “

Programi përfshin veprime për të forcuar shtetin e së drejtës dhe luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, duke përmirësuar kapacitetin e Prokurorit Special për Antikorrupsionin, Byronë Kombëtare të Hetimit dhe institucioneve të pavarura të drejtësisë.

Financimi është caktuar gjithashtu për zhvillimin e një tregu dinamik të tokës në Shqipëri, përmes krijimit të një kornize të qartë të të drejtave të pronës. Paketa gjithashtu vazhdon të mbështesë përmirësimin e kapacitetit të sektorit publik për t’iu përgjigjur nevojave të qytetarëve dhe bizneseve. Programi do të funksionojë si në nivelin kombëtar ashtu edhe në atë lokal.