Për herë të parë nga viti 1982, banorët e ishullit anglez do shkelin në plazhin e ndaluar

Shumë prej personave, edhe të rritur, që pas pak ditësh do të shkelin në Gipsy Cove, do ta kenë eksperiencën e tyre të parë në atë plazh, edhe pse ai ndodhet pak qindra metra nga shtëpitë e tyre.   

Por kjo është diçka normale për banorët e ishujve Falkland, territor britanik, por që gjeografikisht ndodhet përballë brigjeve të Argjentinës.

Bota mësoi të njihte ishujt pikërisht kur Argjentina e drejtuar në vitet ’80 nga ushtarakët tentoi të merrte ishujt që i quante Malvinas me forcë, duke ndezur një konflikt të shkurtër, por të ashpër me Londrën zyrtare.

Në 10 javë të vitit 1982 që mbajtën të ngulitur vëmendjen e opinionit publik botëror, Britania dërgoi aty forca të shumta ushtarake që arritën të shkatërrojnë pjesë të forcave detare argjentinase, duke detyruar Buenos Airesin të tërhiqen nga ishujt e pretenduar, pas 650 viktima në radhët e tyre, ndërkohë që britanikët humbën 255 efektivë.  

Në tërheqje e sipër, argjentinasit minuan pjesë të madhe të ishujve, edhe afër kryeqendrës Stanley. Bëhet fjalë për rreth 24 mijë mina, që nga ai moment kanë kufizuar tej mase përditshmërinë e rreth 3400 banorëve.

Shumë prej tyre u çminuan nga forcat ushtarake në vitet në vijim, por një pjesë e tyre, veçanërisht në plazhet e shumta, përfaqësonin ende një makth. Në vitin 2009, qeveria angleze i dha një kompanie private detyrën për çminimin përfundimtar, që ka përfunduar ditët e shkuara pikërisht në Gipsy Cove.

Mina e fundit do të shpërthehet simbolikisht nga një banor i ishullit, dhe më pas banorët do të mund të shfrytëzojnë lirisht plazhin e ndaluar prej 40 vitesh, që do rreshti të jetë një fantazmë e një lufte të së kaluarës.