Protestat e Iranit, Rajavi ndërkombëtarëve: U ka ardhur fundi politikave të paqes

Përvjetori i protestave të vitit 2019 në Iran u përkujtua nga mbështetësit e opozitës muxhahedine nëpërmjet një konference online, duke rikthyer në vëmendje vullnetin për të përmbysur regjimin.

Maryam Rajavi, presidentja e zgjedhur e Këshillit Kombëtar të Rezistencës së Iranit u shpreh se protestat e të rinjve nuk janë harruar. Flakët që ata ndezën nuk do të shuhen deri sa sundimi i fashizmit fetar të mullahëve “të digjet e të bëhet hi”, sipas fjalëve të saj.

“Sot, vetë ekspertët dhe zyrtarët e regjimit po e pranojnë, njëri pas tjetrit, se kanë arritur në rrugë qorre dhe se nuk kanë më opsione për të ardhmen. Por e vërteta edhe më e madhe është se po bien kambanat për përmbysjen e këtij regjimi”, ishin fjalët e Rajavit.

Maryam Rajavi, presidentja e zgjedhur e Këshillit Kombëtar të Rezistencës së Iranit

Rajavi iu drejtua dhe komunitetit ndërkombëtar. Politika e paqësimit nuk mund të përsëritet, por edhe nëse përsëritet, ajo nuk do t’i zgjidhte asnjë prej problemeve të regjimit. “U ka mbaruar koha politikave që mbajnë anën e mullahëve. Kjo politikë do të korrte vetëm dëme e humbje”, deklaroi ajo.

Më 15 nëntor 2019, në qytete të ndryshme iraniane shpërthyen protesta. Ato zgjatën rreth një javë dhe u përhapën në mbi 190 qytete në të 31 provincat e Iranit. Kryengritja e nëntorit 2019 ishte e paprecedent në 40 vitet e fundit, ndërsa zyrtarët e konsideruan si kryengritje të Organizatës Muxhahedine të Popullit të Iranit. Me urdhër të Liderit Suprem të regjimit Ali Khamenei, të paktën 1500 protestues u vranë, mbi 4000 u plagosën dhe të paktën 12000 u arrestuan.