Rama publikon videon nga Sanatoriumi, reagon Basha: Shëndetësia në kolaps

Basha Rama cover A2 CNN 1100x620

Kreu demokrat, Lulzim Basha, ka deklaruar mëngjesin e sotëm se shëndetësia e Edi Ramës është në kolaps të plotë, duke iu përgjigjur kështu akuzave të kryeministrit, i cili pak më herët publikoi pamje nga sanatoriumi, duke i konsideruar të pavërteta akuzat e opozitës.

“Shëndetësia e Edi Ramës është në kolaps të plotë. Nëse infektohesh me #COVID, nuk të testojnë se s’ka tamponë. Kur të sëmurët rëndohen, nuk të mjekojnë sepse s’ka ilaçe. Nëse nuk ke para të blesh ilaçet në tregun e zi, fati yt mund të jetë tragjik”, shkruan Basha, i cili publikoi përmes një videoje dramën e familjes Mema.

Më herët, kryeministri Rama iu përgjigj akuzave të herëpashershme të opozitës përmes një video nga spitali COVID 2, ku shprehet se realiteti brenda spitaleve nuk është ai që thotë opozita.

“Dhe duan s’duan lehaqeniet e çakërdisura të opozitarizmit vulgar, agresiv, gënjeshtar, realiteti brenda spitaleve Covid është pa pikë dyshimi ai që keni parë këtu, e duke ju ftuar të shihni Pjesën e Tretë të EKSKLUZIVES, nga spitali Covid 2, në Sanatoriumin e Tiranës, ju uroj një ditë të mbarë”, shkroi Rama.