Rikthehet antiinformaliteti. Tatimet, letër 5 000 bizneseve për deklarimin e pagave

Qeveria i rikthehet luftës kundër informalitetit. Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve po kontrollon bizneset për punën në të zezë.

Nga të dhënat rezulton se janë konstatuar parregullsi për 10 785 punonjës në 5 389 biznese të regjistruara. Kjo për shkak të deklarimit si të punësuar me pagë minimale për grupe profesionesh të mirëpaguara si inxhinierët, ekonomistët, farmacistët, por edhe për profesione me një pagë më të lartë se 26 000 lekë në muaj, si mekanikët, muratorët, saldatorët, teknikët, etj.

Pas identifikimit të këtyre rasteve, Tatimet u kanë dërguar letra si punëdhënësve, ashtu edhe punëmarrësve. Letra që kanë sjellë një reagim pozitiv, duke shtuar të ardhurat në buxhet me afërsisht 7 milionë lekë për periudhën gusht-shtator, si pasojë e pagesave më të larta për kontributet dhe tatimin mbi të ardhurat personale.

Për pjesën e mbetur të bizneseve që nuk kanë reflektuar rritje të pagave për punonjësit e evidentuar, Tatimet do të vijojnë kontrollet në terren.

Ky aksion i ri pritet të vazhdojë sërish në sektorin e pagave dhe në sektorë të tjerë të ekonomisë, ku do të konstatohen shkelje dhe parregullsi.