Rikthehet Teatri, Tabaku: Veliaj kërkon 36 milionë euro të taksave të shqiptarëve për projektin

tabaku borxhet frame 875 1100x620

Ish deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku ka rikthyer edhe njëherë në vëmendje çështjen e Teatrit Kombëtar pas kërkesës që kryebashkiaku Veliaj i ka bërë Kuvendit për financimin e këtij projekti.

Sipas Tabaku, në kohën më të vështirë të krijuar nga pandemia, Veliaj i kërkon Kuvendit 36 milionë euro të taksave të shqiptarëve për të financuar një projekt korruptiv.

“Fotokopja pa ngjyrë e Ramës, Erion Veliaj, ka dërguar një shkresë në Kuvendin e Shqipërisë duke kërkuar që 36 mln eurot e taksave të shqiptarëve të përdoren për projektin e Teatrit me Kulla që do të ndërtojë aty ku ndodhej dikur Teatri Kombëtar. Pasi e shembi godinën në kundërshtim me çdo këshillë të ofruar nga ndërkombëtarët dhe nga shoqëria civile, Veliaj i kërkoi qeverisë që të merrte një kredi me vlerë 30 mln euro. Mirëpo qeveria duket se nuk mundi të merrte një kredi të tillë pasi asnjë investitor serioz nuk mund të sponsorizojë aferat korruptive dhe kriminale të dyshes Rama-Veliaj.

Mësohet se Veliaj i ka dërguar një shkresë parlamentit që ky i fundit të marrë 36 mln euro nga taksat e shqiptarëve për të ndërtuar me to jo një godinë të Teatrit të Ri por për të jetësuar projektin e shkatërrimit të mëtejshëm të Tiranës. Janë para nga taksat e shqiptarëve që nuk do të përdoren për pandeminë, nuk do të përdoren për të ndihmuar të sëmurët nga COVID-19 por kërkohen nga Veliaj për të ushqyer babëzinë e tij për para dhe pushtet”, shkruan Tabaku.