Shifrat e koronavirusit dalin jashtë kontrollit, shtetet në Amerikë shtojnë kufizimet

Në atë që kryebashkiaku Bill De Blasio e cilëson si shansin e fundit për të frenuar valën e dytë të pandemisë, Nju Jorku prezantoi kufizime të reja kundër koronavirusit.

Baret restorantet dhe palestrat duhet të mbyllen në orën 22 dhe grumbullimet me më shumë se 10 persona do të ndalohen. De Blasio paralajmëroi se nëse infektimet do të vazhdojnë të rriten, shkollat do të mbyllen dhe nxënësit do t’i kthehen mësimit online.

“Kjo është mundësia jonë e fundit për të frenuar valën e dytë. Mund ta bëjmë, por duhet të veprojmë tani”, tha Bill De Blasio.

Shtetet e Bashkuara po jetojnë ditë të vështira, me një numër rekord prej mbi 65 mijë amerikanësh që gjenden të shtruar në spitale. Rekorde të reja janë thyer në shumë shtete këtë javë, me Teksasin që preku 1 milion rastet të martën. Gjithashtu edhe shtet të tjera po shohin rritje alarmante të shifrave.

Më shumë se 144 mijë raste të reja u raportuan ne 24 orët e fundit në të gjithë vendin, e një mesatare prej 900 personash po humb jetën çdo ditë nga virusi. Me 1 milion rastet e shënuara në nëntor, e çojnë në mbi 10 milion totalin e personave të prekur në rang kombëtar, ndërsa viktimat i kanë tejkaluar 233 mijë.

Ekspertët paralajmërojnë se vala e dytë mund të jetë më rëndë se e para dhe se spitalet pritet t’i tejkalojnë shumë shpejt kapacitetet. Disa spitale në Idaho dhe Misuri nuk po pranojnë më pacientë, pasi nuk kanë me vend.

Të mërkurën, këshilltari i presidentit të zgjedhur Joe Biden për pandeminë, Michael Oserholm, tha se një izolim 4 deri në 6 javor do të vinte pandeminë nën kontroll. Sipas tij, ditët më të errëta të pandemisë pritet të shënohen mes kësaj periudhe dhe pranverës, para se të dalë vaksina.

Autoritetet shëndetësore shpresojnë se vaksinimi mund të nisë që në dhjetor, pas rezultateve të suksesshme të kompanive Pfizer dhe Biontech.