Ujku “i të ardhmes” bëhet miku i japonezëve për t’u mbrojtur nga arinjtë

Një qytezë, në Japoni, ka vendosur të përdorë ujq robotë për të ruajtur territorin nga miqtë e padëshiruar. Autoritetet në Takikava, qytezë në veri të ishullit Hokkaido, blenë dhe instaluan dy ujq robotë, pasi në shtator u panë arinj pranë zonave të banuara. Që prej vendosjes së ujqve, thonë zyrtarët e qytezës, nuk ka pasur më njoftime për praninë e arinjve në zonë.

Afrimi i arinjve në zonat e banuara, sidomos rurale, është shndërruar në problem në Japoni, pasi numri i rasteve është shtuar së tepërmi në vitet e fundit. Vetëm në vitin 2020, ka pasur dhjetëra sulme arinjsh, madje dy persona kanë humbur edhe jetën.

Për këtë arsye, zyrtarët lokalë e qendrorë kanë diskutuar mënyra për të zgjidhur këtë problem. Robotët e përdorur, të quajtur “Ujqit Monstra”, janë në fakt struktura që përngjajnë me trupin e kafshës së egër, me një kokë të madhe dhe sy të mëdhenj të kuq. Të pajisur me sensorë për pikasjen e lëvizjeve, ujqit robotë fillojnë të lëvizin kokën nëse diçka u kalon pranë, duke bërë 60 lloje të ndryshme zhurmash dhe duke ndriçuar.

Kompania prodhuese, “Ohta Seiki”, thotë se ka shitur rreth 70 robotë të tillë prej vitit 2018. Ujqit e vërtetë kanë qenë të pranishëm në ishujt e Japonisë qendrore dhe veriore, por u zhdukën rreth një shekull më parë pas gjuetisë nga ana e njeriut.

  • LAJMI I FUNDIT | Koronavirusi në Shqipëri, 13 viktima në 24 orët e fundit
  • LAJMI I FUNDIT | Koronavirusi në Shqipëri, 782 raste në 24 orët e fundit
  • LAJMI I FUNDIT | Koronavirusi në Shqipëri, 572 të shëruar në 24 orët e fundit
  • LAJMI I FUNDIT | MSH: 480 pacientë të shtruar në spital, 33 në terapi intensive, 14 të intubuar