Vritet në Afganistan gazetari i Radios Evropa e Lirë, Elyas Dayee

Elyas Dayee 1100x620

Është vrarë në provicën afgane Helmad, gazetari i Radios, Evropa e Lirë, Elyas Dayee, si pasojë e një bombe që i është vënë në makinën e tij.

Omer Zwak, zëdhënës i guvernatorit të provincës, ka thënë, për Radion Evropa e Lirë, se bomba e ngjitur në makinën e Dayee, ka vrarë gazetarin dhe ka plagosur tre persona tjerë, përfshirë edhe vëllain e tij.

Sipas Radios Evropa e Lirë, ende askush nuk ka marrë përgjegjësi për sulmin.

Dayee ka punuar për Shërbimin e Afganistanit në Radion Evropa e Lirë.

“Kolegu dhe miku im i dashur, Elyas Dayee, ka humbur jetën në një sulm terrorist, këtë mëngjes. Ai ka pasur gjithmonë një buzëqeshje në fytyrë. Ky është lajm i tmerrshëm”, ka thënë Sami Mahdi, shef i byrosë në Afganistan.

Ndërsa zëdhënësi i presidencës afgane, Siddiq Siddiqui, ka dënuar “vrasjen” e Dayees duke u shprehur se pas sulmit qëndrojnë armiqtë e lirisë së shprehjes dhe mediave në Afganistan.

Dhuna është rritur në gjithë Afganistan, teksa negociatorët qeveritarë dhe talibanët janë duke zhvilluar takime në Katar për të gjetur zgjidhje për luftën në Afganistan, por që ende nuk është bërë asnjë pikë kthese prej kur kanë nisur bisedimet, në muajin shtator.