7 mësues, viktima të Covid-19. Nuk flitet për mbyllje të shkollave

Hapja e shkollave ka rritur infektimet nga koronavirusi, por edhe fatalitetet brenda këtyre institucioneve. 7 mësues kanë humbur jetën deri tani nga komplikacionet e virusit, pjesa më e madhe, të infektuar gjatë dy muajve nga fillimi i mësimit.

Ministrja e Arsimit, Evis Kushi, në profilin e saj në Facebook ka publikuar një tjetër mesazh ngushëllues për një tjetër mësues që nuk ka mundur t’i mbijetojë komplikacioneve.

Mbi 200 arsimtarë janë në izolim, të infektuar nga virusi, por edhe raste kontakti. Ndërkohë, 6 mësues në gjendje më të rëndë shëndetësore janë shtruar në spitalet Covid.  

Pavarësisht rritjes së infektimeve, si te mësuesit, ashtu edhe te fëmijët, për ekspertët aktualisht nuk mund të flitet për mbyllje të shkollave. Deri tani, mbyllja e shkollave dhe e klasave është bërë e pjesshme, në varësi të numrit të të infektuarve.

Të vetmet institucione arsimore që nuk u hapën janë universitetet. Viti akademik filloi dhe po zhvillohet “online”, pasi për ekspertët, studentët përbëjnë rrezik të madh për transmetimin e virusit.