“Deklaratat e Vuçiç për konflikt të ngrirë, marrëzi”, Islami: Rol edhe Tirana zyrtare, Perëndimi të reagojë

islami 1100x620

Serbia vazhdon sjelljen e saj me mentalitet të vjetër dhe mendon që mund të përfitojë më shumë, para se ta lëshojë Kosovën. Kështu u shpreh ish-ministri i Jashtëm Kastriot Islami, në studion e A2 Cnn, lidhur me deklaratat e Vuçiç, që e krahason Kosovën me Nagorno-Karabak, duke dashur ta kthejë atë në konflikt të ngrirë. Sipas tij, Kosova është në fazën përfundimtare të pavarësisë së saj dhe kthimi mbrapsht është një marrëzi, dhe nuk i falet një shteti si Serbia.

“Në momentin që e njeh Serbia përmbyllet ky proces. Kjo është një lojë e Serbisë, e cila do të nxjerrë përfitime të mëdha para se ta lëshojë Kosovën. Ardhja e lidershipi që është më i përshtatshëm për të avancuar demokratizmin e Kosovës dhe anëtarësimin në BE dhe institucione ndërkombëtare. Kosova ka objektiv implementimin e demokracisë, implementimin e pavarësisë, anëtarësimin në OKB e BE dhe ka nevojë për dialog demokratik me Serbinë. Serbia ka dalë nga shinat e demokracisë dhe e ka të vështirë të realizojë dialog dhe të pranojë Kosovën e pavarur.

Serbia vazhdon sjelljen e saj me mentalitet të vjetër dhe mendon që mund të përfitojë më shumë duke u kthyer në pol të rëndësishëm në rajon, ndërkohë që të gjitha shtetet janë të pavarura. Objektivi i të gjithë vendeve të Ballkanit është Brukseli.

Me këtë filozofi të vjetër, ai gjatë gjithë kohës për shkak edhe të konjuktuarve politike është munduar ta vendosë Kosovën në pozitë të vështirë, duke dashur ta kthejë atë në konflikt të ngrirë. Është budallallëk ta krahasosh me Nagorno-Karabak. Kosova është shtet i pavarur dhe është në fazën përfundimtare të pavarësisë së saj, të kërkosh ta kthesh mbrapsht është një marrëzi dhe nuk i falet një shteti që ka një eksperiencë, por kur je me mendje të kufizuar që bëhen pë shkak të mentalitetit të vjetër dhe përfitimeve”, u shpreh Islami.

Një rol të rëndësishëm në deklaratat e presidentit serb luan edhe Tirana zyrtare, thotë Islami, i cili shton se ka bërë një lojë populiste, ndërsa shigjeton kryeministrin Rama dhe thotë që duhet të kishte reaguar ashpër ndaj Vuçiçit.

“Kjo vjen dhe për shkak të takimeve të Vuçiç me Ramën në Tiranë. Rama duhet të kishte reaguar shumë ashpër dhe t’i thoshte; miku im je në marrëzi totale dhe nuk i lejohen një lideri të shekullit 21.

Serbët kërkojnë marrëzi dhe mendojnë që kanë mbështetjen e Rusisë, këtu ka edhe një rol Tirana zyrtare, e cila jo vetëm që ka bërë një lojë populiste, gjasme, duke i kujtuar, njih Kosovën që është teatër, ndërkohë që Rama është ulur në një tavolinë dhe ka firmosur minishengenin, i cili ka probleme të mëdha si projekt, se Shqipëria i ka të hapur kufijtë me rajonin”, theksoi Islami i cili u shpreh se ka ardhur koha e demokracisë dhe Perëndimi duhet të reagojë ndaj Beogradit.

.