Koalicioni qeverisës në Kosovë, Hoti: Dakordësi për presidentin e ri ose shkojmë në zgjedhje

Hashim Thacii 1100x620

Koalicioni qeverisës i Kosovës do të takohet, brenda disa ditëve, për të përcaktuar vijimësinë ose ndërprerjen e bashkëpunimit. Kryeministri, Avdullah Hoti, tha se subjektet politike parlamentare do të diskutojnë lidhur me çështjen e presidentit të ri, pas dorëheqjes së Hashim Thaçit si shkak i konfirmimit të aktakuzës nga Gjykata Speciale. Shefi i qeverisë paralajmëroi se pa një dakordësi për këtë temë, alternativë mbetet mbajtja e zgjedhjeve të parakohshme.

“Janë dy rrugë, partitë politike duhet të ulen bashkë për t’u dakorduar për zgjedhjen e presidentit të ri, ose duhet të dakordohen për të shkuar në zgjedhje, për të caktuar datën e zgjedhjeve të parakohshme që duhet të mbahen. Këto veprime kanë ndodhur para një jave, ende nuk kemi filluar konsultimet e brendshme me partitë politike për të parë cili është disponimi. Kemi dëgjuar deklarime publike të partive të ndryshme karshi kësaj teme, por besoj që së shpejti, për disa ditë, disa javë, ulemi të gjitha partitë politike parlamentare dhe duhet të flasim si njerëz të civilizuar, si parti politike të përgjegjshme për të gjetur zgjidhje për qytetarët”, u shpreh Hoti.

Kryeministri komentoi edhe deklaratën e presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiç, për dialogun dhe konfliktin që mund të rrezikojë Kosovën, duke thënë se kjo nuk i shërben paqes dhe stabilitetit.

“Deklaratat e dhëna dje nga pala serbe, nga fqinji ynë në veri janë jo adekuate. Nuk i kontribuojnë paqes dhe stabilitetit dhe nuk janë në frymën për të cilën jemi dakorduar që të punojmë së bashku në proceset e dialogut. Mbi bazën e kësaj ne kemi lëshuar dje një qëndrim zyrtarë të Qeverisë së Kosovës karshi kësaj duke qenë të matur dhe konstruktiv, duke treguar qartë se koha e konflikteve ka kaluar. Çështjet e hapura që i kemi dy vendet tona, duhet t’i zgjidhim përmes dialogut, nuk ka rrugë tjetër, çdo deklaratë tjetër vetëm krijon situatë të panevojshme”.

Deklarata e Vuçiç u dënua më herët edhe nga presidentja e Kosovës në detyrë, Vjosa Osmani, dhe ministrja e Jashtme, Meliza Haradinaj-Stublla që kërkuan një reagim nga Bashkimi Europian dhe NATO.