Lufta kundër informalitetit, premtimet e Ramës kundër punës në të zezë

“Kjo është gjendje lufte në organizmin e ekonomisë sonë që gërryhet prej 20 e kusur vitesh nga një kancer që quhet informalitet”, shprehej kryeministri Edi Rama, më 7 shtator 2015.

Këtë kancer, qeveria është përpjekur ta luftojë disa herë përgjatë viteve të fundit, gjithmonë me aksionet në terren si kurën më të fortë. Në fillim, lufta ndaj informalitetit u përqëndrua tek ato biznese që fshihnin xhiron, përmes fushatave për lëshimin e kuponit. Por një problem edhe më i madh u evidentua në tregun e punës, ku Organizata Botërore e Punës vlerësonte se 63% e punësimit në vend ishte informal.

Aksionet u shoqëruan me shumë bujë, gjoba dhe vendosje shiritash në bizneset e evidentuara, ndërsa vëmendja e luftës së qeverisë do të përpiqej të zhvendosej drejt nëndeklarimit të pagave.

“Është gënjeshtër që një financier, një ekonomist apo inxhinier apo të tjera profesione brenda për brenda kompanive të paguhen 300 mijë lekë”, shprehej Rama, më 1 qershor të vitit 2018.

Por, pas aksionit të parë, efektshmëria e administratës tatimore në këtë luftë ra, madje duke hapur sërish plagë të vjetra.

“Ç’organizim dhe anarki brenda administratës. Janë rishfaqur fenomenet e dikurshme të aktiviteteve individuale apo në grup për qëllime korruptive”, pohonte kreu i qeverisë, më 15 korrik të vitit 2019.

Pas riformatimit të strukturave të tatimeve dhe doganave, qeveria u përpoq të ringjallte antiinformalitetin, kësaj radhe me një aksion të dytë në terren, të fokusuar kryesisht te turizmi, ndërtimi dhe karburantet. Ndërsa për punonjësit në të zezë, apo me paga të nëndeklaruara, qeveria lancoi aplikacionin Stop Informalitetit, që sot 2 vjet më pas ka vetëm 5 mijë shkarkime, por jo një bilanc të rezultatit që arriti.

Por rezultatin e nxori zbuluar pandemia, që vuri edhe njëherë në dukje problemin e punës në të zezë, me dhjetëra mijëra familje të lëna në mëshirë të fatit pa asnjë të ardhur. Zgjidhja e kryeministrit ishte denoncimi nga ana e këtyre punonjësve, kundrejt një shpërblimi.

“Ata që punojnë në të zezë duhet të kenë minimumi kurajon që të denoncojnë. Ne po bëjmë gati edhe një shpërblim financiar”, thoshte kryeministri, më 14 prill të viti 2020.

Sot, tatimet janë rikthyer edhe njëherë te problemi i nëndeklarimit të pagave, duke dërguar letra në 5 mijë biznese. Ndërsa INSTAT, raporton se 40% e të punësuarve të regjistruar në vend paguhen deri në 30 mijë lekë, kufiri për t’i shpëtuar pagesës së Tatimit mbi të Ardhurat Personale. Me një sistem taksimi progresiv që inkurajon nëndeklarimin, sot qeveria nuk e ka një statistikë se sa i madh është realisht problemi. Ashtu sikurse ka dështuar të prodhojë një statistikë se sa ka arritur të ulë informalitetin që prej ditës së parë kur nisi aksionet.