Pakti me naftëtarët, Rama: Kemi vendosur një pagë 55 mijë lekë për 12 muaj

Pas takimit të dytë me naftëtarët e Ballshit, kryeministri Rama u shpreh se ata do të përfitojnë një pagë 55 mijë lekë për 12 muaj.

“Është një nga ato momentet kur privilegji për të shërbyer në këtë detyrë ndjehet i gjithi. E them me shumë kënaqësi që çka ne kemi vënë në dispozicion si mbështetje për 870 naftëtarë të rafinerisë është pritur me shumë pozitivitet nga ana e tyre. Në këtë kohë kaq të vështirë kur duhet të llogarisim çdo ditë për të qenë largpamës, pasi jemi në kushtet e një paparashikueshmërie për shkak të pandemisë.

Kemi vendosur një pagë 55 mijë lekë bruto dhe 40 mijë lekë neto për 12 muaj, në mënyrë që këta njerëz të kenë sigurime të plotë dhe garancinë e një page mjaft të arsyeshme, duke marrë parasysh edhe situatën e vështirë që kanë kaluar”, u shpreh Rama.

I pyetur për rivënien në punë në rafinerisë, Rama theksoi se janë 3 kompani. “Me lejoni të shijoj këtë moment kaq pozitiv dhe njerëzor ku kemi qarë hallin si një familje dhe kemi materializuar moton tonë që “askush nuk do të jetë vetëm” dhe gjithçka që është e mundur nga ana jonë do të bëhet.

Nuk i kemi të pakufizuara mundësitë, por ky grup meriton një vëmendje të veçantë pasi është një grup burimesh njerëzore të specializuar në një sektor të rëndësishëm. Nuk jemi dorëzuar për perspektivën e rafinerisë edhe pse kërkon investim të konsiderueshëm. Çdo të bëjmë më pas të ia lëmë të nesërmes, por vazhdojmë procesin i kemi dhënë kohë të mjaftueshme këtyre njerëzve për të marrë frymë lirisht.

Ne jemi në kontakt me tre kompani dhe janë kompani të mëdha të rëndësishme, por koha që jetojmë është problem, që e kemi hasur me disa projekte tonat, sikur po luftojmë në këtë drejtim, po luftojmë edhe për aeroportin e Vlorës”, tha Rama.