Pandemia në botë, rekord rastesh në SHBA, Çikago në izolim

Pandemia koronavirus vijon të përhapet me ritme të shpejta në botë. Në 24 orët e fundit, u regjistruan rekord viktimash dhe rastesh të reja.

Sipas të dhënave të raportuara nga Universiteti Johns Hopkins, si asnjëherë më parë mbi 11 mijë pacientë humbën jetën në një ditë të vetme, ndërsa numri i infektimeve të reja ishte mbi 666 mijë.

Shtetet e Bashkuara mbesin vendi më i goditur nga koronavirusi në botë. Për herë të parë që prej nisjes së pandemisë, autoritetet shëndetësore amerikane konfirmuan mbi 150 mijë raste të reja, dita e dhjetë radhazi me mbi 100 mijë infeksione.

Bilanci i viktimave shkoi në 242 mijë. Duke marrë shkas nga situata e krijuar, shtetet dhe qytetet po shtojnë kufizimet. Çikago, qyteti i tretë më i populluar i SHBA-së, lëshoi një urdhërizolimi për 2.7 milionë banorët e tij.

Duke nisur nga e hëna, personat mund të lënë shtëpitë vetëm për të shkuar në punë, shkollë dhe për furnizime me ushqime e ilaçe.

“Mendoj se qytetarët duhet të kuptojnë që masat e shëndetit publik, jo izolimi i vendit, por masat e shëndetit publik janë shumë të thjeshta: mbajtja e maskës, distancimi fizik, shmangia e vendeve dhe pikave të grumbullimit dhe larja e duarve”, u shpreh Anthony Fauci, drejtor i Institutit Amerikan për sëmundjet infektuese.

Situatë e vështirëedhe në Brazil. Mbi 900 pacientë humbën jetën në 24 orë, sipas raportimeve të shtypit lokal. Rastet e reja me koronavirus ishin mbi 34 mijë. Ndërkohë, edhe Rusia shënoi rekord infeksionesh ditore me rreth 22 mijë të konfirmuar pozitivë. Për të luftuar valën e dytë, Moska, aty ku paraqitet numri më i lartë i rasteve me koronavirus, do të mbyllë baret dhe restorantet.