Puna në të zezë, apelit të Ramës për denoncim i përgjigjen vetëm 6 persona

Apelit të kryeministrit Rama gjatë karantinës, që punonjësit në të zezë të denonconin punëdhënësit e tyre, i janë përgjigjur vetëm 6 persona.

Drejtoresha e Përgjithshme e Tatimeve Delina Ibrahimaj shpjegon në një intervistë për A2 se edhe për këto raste nuk kishte prova që të vërtetohej puna në të zezë.

“Ka pasur gjithsej 6 denoncime dhe duke e krahasuar me numrin normal të denoncimeve që ne marrim për çështje të ndryshme të informalitetit që mund të jenë 200-400 në javë. Dhe në të gjitha rastet nuk ka pasur asnjë dokument i cili mund të shërbente si indicie për të nisur një proces”, tha drejtoresha e Tatimeve.

Kreu i tatimeve flet edhe për abuzimet me transaksionet e mëdha,  për të shmangur taksat.

“Ne kemi evidentuar gjatë muajve të fundit të gjithë bizneset që në ditët e fundit të muajit kryejnë transaksione në nivele të larta dhe jemi duke monitoruar nëse këto janë reale apo jo. Transaksione për blerje mallrash apo shërbimesh që ne na bëjnë të dyshojmë se nuk janë reale”, shtoi Ibrahimaj.