Ankesat e PAK, Basha: Kur të vij në pushtet, hetim çdo abuzimi me fondet për ju

WhatsApp Image 2020 11 14 at 14.07.20 1100x620

Shqetësimet e personave me aftësi të kufizuara ishin dëgjesa e radhës për kryedemokratin Basha këtë të shtunë.

Ata iu ankuan Bashës për pamundësi financiare për të përballuar medikamentet dhe masat mbrojtëse në periudhën e pandemisë, ndërsa nga ana e tij, kryedemokrati i premtoi se me të ardhur në pushtet, do të hetohet çdo abuzim me këtë kategori shoqërore.

“Personat me aftësi të kufizuara, të lodhur dhe të rrezikuar nga pandemia, të gënjyer, të fyer dhe të harruar, në ditën më të vështirë për çdo shqiptar, vuajnë më shumë se kushdo. Ata kanë më shumë nevojë për mbështetjen e shtetit. Fatkeqësisht, janë ata që marrin goditjen më të rëndë nga dështimi i Ramës dhe dalja e pandemisë jashtë kontrollit. Pandemia i kërcënon dyfish personat me aftësi të kufizuara. Shumë familjarë që kanë humbur punën dhe të ardhurat, vijnë nga kjo pjesë e popullsisë. Zbatimi i planit tonë me 5 pika do t’u garantonte atyre rimbursimin e plotë të paketës së trajtimit ambulator, pagesën mujore të papunësisë prej 160 mijë lekësh, ose stimulimin e rimarrjes në punë si dhe indeksimin mujor prej 20 mijë lekësh për shpenzimet shtesë për higjienën.

Rritja e kuotave të detyrueshme të punësimit, shërbimet e transportit publik falas, rimbursimi i medikamenteve dhe i trajtimit shëndetësor periodik janë detyrim ligjor dhe moral i shtetit dhe i shoqërisë ndaj tyre. Por kjo nuk mund të bëhet nga një qeveri që nuk i pyet as kur shkruan ligjet abuzive për këtë shtresë, as kur i ngarkon me taksa të shumëfishuara”, u shpreh Basha.