Covid-19 në SHBA, rriten shifrat, por Trump njofton vaksinën

koronavirusi shba 1100x620

Shtetet e Bashkuara regjistruan një rekord të ri ditor të premten për sa i takon pandemisë koronavirus, teksa njoftuan afro 200 mijë raste të reja. Por në mes të kësaj furtune shihet dritë në fund të tunelit.

“Sipas planit do të kemi 20 milionë doza vaksinash brenda muajit dhjetor për qytetarët amerikanë për të vijuar më pas nga 25-30 milionë doza për muaj në vitin që vjen”, tha Moncef Slaoui, shefi i programit të vaksinave në SHBA.

Deklaratat e shefit të programit të vaksinave në SHBA dhe presidentit Donald Trump u bënë pas konfirmimeve nga kompanitë Pfizer dhe Biontek se vaksina e tyre rezultoi mbi 90 për qind efektive ndaj koronavirusit dhe se janë gati që të aplikojnë për një autorizim emergjent që do çonte në certifikimin e saj.

Në të njëjtat hapa është edhe kompania farmaceutike britanike Astra Zeneca që në bashkëpunim me universitetin e Oxfordit pritet të njoftojnë për një tjetër kurë para fundit të vitit.

Prej këtu del edhe përgjigjja në lidhje me izolimin e vendit që Trump e ka luftuar që prej nisjes së epidemisë.

“Kjo do të thotë që nuk do të shkojmë në izolim. Unë nuk e kam ndërmend një gjë të tillë ashtu sikurse edhe administrata ime. Nuk i dihet se çfarë do të ndodhë në të ardhmen, nuk e di kush administratë do jetë. Koha do e tregojë”, tha Trump. 

Numri total i rasteve me Covid 19 në SHBA kaloi pragun e 10 milionë e 700 mijë rasteve dhe 244 mijë vdekjeve sipas të dhënave më të fundit.