Vokshi: 10 mësues kanë humbur jetën nga Covid-19, qeveria nuk siguron as kushtet minimale

WhatsApp Image 2020 11 14 at 11.41.27 1100x620

Ish-deputetja e Partisë Demokratike, Albana Vokshi, ka dhënë një deklaratë për mediat përpara Kryeministrisë në lidhje me situatën e pandemisë në vendin tonë dhe ndarjen nga jeta të mësuesve.

Vokshi u shpreh se deri tani kanë ndërruar jetë, të prekur me Covid-19, 10 mësues, ndërsa qeveria nuk siguron as kushtet minimale në shkolla.

“Me keqardhje konstatojmë që vetëm 2 ditën e fundit, të tjerë mësues kanë humbur betejën me virusin COVID 19. Qeveria ende nuk ka marrë asnjë masë reale për mbrojtjen minimale të mësuesve dhe nxënësve në shkolla. Janë 10 mësues që nga fillimi i vitit shkollor që janë ndarë nga jeta pikërisht për shkak të COVID19, por ata janë trajtuar vetëm si statistika nga qeveria. PD shpreh keqardhjen për humbjen e jetëve të shtrenjta të mësuesve dhe ngushëllon familjet, kolegët e të afërmit.

Situata në shkolla është alarmante dhe jashtë çdo kontrolli. Shkollat janë sot ndër vatrat më të rrezikshme të përhapjes së infeksionit, sepse qeveria nuk do t’ia dijë për shëndetin e nxënësve dhe mësuesve. Ajo që i intereson Edi Ramës është vetëm t’i përdorë ata për politikë dhe për pushtet.

Nga raportimet në media dhe informacionet që vijnë në PD janë mijëra mësues dhe nxënës që janë të prekur / karantinuar.

– [ ] Shkollat në Tiranë: në dy ditët e fundit janë 280 nxënës, rreth 120 mësues të prekur ose karantinuar.

– [ ] Vetëm në Korçë janë mbi 100 mësues të prekur me COVID19

– [ ] Vetëm në 3 shkolla në Lezhë janë 20 mësues.

– [ ] Në të gjithë vendin janë rreth 600 mësues prekur / karantinuar dhe mbi 1300 nxënës

Denoncimet janë të përditshme nga çdo shkollë e vendit. Mësues dhe prindër që kërkojnë mbështetje dhe ndihmë.

Qeveria ka vendosur të mbyllë veshët dhe të mos i dëgjojë lutjet e tyre, pasi mësuesit dhe nxënësit i duhen vetëm për dekorin e propagandës së Edi Ramës.

Qeveria i ka braktisur e lënë në mëshirë të fatit, pa testime, pa maska, pa dezinfektant, pa ujë, pa kushte higjeno sanitare, duke i shfrytëzuar si skllevër me dyfishin e ngarkesës që nuk u paguhet kurrë.

Humbjet e jetës mund të ishin shmangur, nëse Qeveria do të reagonte në kohën e duhur dhe  do të kishte zbatuar planin e propozuar nga PD”, u shpreh Vokshi.