Europa lufton pandeminë. Greqia dhe Austria mbyllin shkollat, Suedia shton masat

Vendet europiane vijojnë të ashpërsojnë kufizimet për të frenuar përhapjen e Covid-19, teksa përballen me valën e dytë të pandemisë.

Italia ka përjetuar një rritje të ndjeshme të rasteve ditore dhe viktimave duke vendosur në vështirësi sistemin shëndetësor. Qeveria e kryeministrit Giuseppe Conte futi në listën e zonave të kuqe dhe rajonin e Kampanjës dhe Toskanës. Ndërsa Kalabria urdhëroi mbylljen e shkollave deri më 28 nëntor.

Në këtë drejtim shkoi edhe shteti i Greqisë. Shkollat fillore dhe kopshtet mbyllin dyert nga e hëna, si masë frenuese ndaj valës së dytë të koronavirusit. Greqia, më herët, futi të gjithë vendin në një izolim të përgjithshëm, por duket se ky kufizim nuk ishte i mjaftueshëm.

Suedia merr një tjetër disfatë në teoritë e saj për luftën ndaj pandemisë. Kreu epidemiolog i këtij shteti tha se niveli i lartë i përhapjes së virusit në këtë valë të dytë provoi që imuniteti i tufës nuk është arritur. Suedia zhvilloi një politikë ndryshe në përballimin e pandemisë, duke mos vendosur kufizime strikte apo izolim kombëtar. Kjo e ka vendosur sistemin shëndetësor në vështirësi dhe aktualisht ky shtet ka nivelin më të lartë të vdekshmërisë në botë në krahasim me popullsinë. Qeveria tani po ndryshon strategji dhe ka vënë në zbatim masa të reja si kufizimi i kapaciteteve të kafeneve dhe restoranteve, ndërsa pas orës 22:00 ndalon shërbimin e alkoolit në bare, restorante dhe pub-e.

Ashtu si Franca, Gjermania, Britania edhe Austria iu bashkua grupit të shteteve me izolim kombëtar. Qeveria e Vienës njoftoi mbylljen e të gjitha dyqaneve jo të domosdoshme dhe shkollave, pas rritjes së ndjeshme të përhapjes së koronavirusit.