Hamilton barazon rekordin e Schumacher, 7 herë kampion i F1

Lewis Hamilton ka fituar titullin e tij të shtatë kampion në F1, duke barazuar kështu rekordin e legjendës Michael Schumacher.

Britaniku i Mercedesit fitoi Çmimin e Madh të Turqisë, që u zhvillua në pistë të lagur, duke treguar edhe një herë tjetër mjeshtërinë e tij në kushte të vështira atmosferike dhe në menaxhimin e gomave, pasi zhvilloi 52 xhiro me të njëjtat goma.

Hamilton mori kështu 25 pikë të plota, ndërkohë që shoku i tij i skuadrës, Valtteri Bottas, i cili po e mbante gjallë matematikisht kampionatin, nuk hyri në zonën e pikëve.

Në vend të dytë përfundoi Sergio Perez me Racing Point, ndërkohë që Ferrari zhvilloi një garë të mirë, duke u rikthyer në podium. Sebastian Vettel përfundoi garën në vendin e tretë pasi u nis nga vendi i 11, ndërsa Charles Leclerc menjëherë pas tij.