Ministria e Shëndetësisë e pohon si strategji rritjen e rasteve pozitive me Covid-19

Rastet pozitive me Covid-19 u dyfishuan në raport me një muaj më parë. Por, gjithçka ka qenë strategjike nga qeveria dhe autoritetet shëndetësore përgjegjëse. Ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu, duke konfirmuar pozitivitetin e lartë, tha se po ndiqet ajo që e cilësoi si strategji të testimit inteligjent.

“Krahasuar me një muaj më parë kemi dyfishim të rasteve pozitive ditore. Në lidhje me numrin e testimeve, duhet patur parasysh se një nga arsyet pse Shqipëria ka një pozitivitet të lartë, është pikërisht për shkak të strategjisë së testimit. Ne po bëjmë testim të targetuar, që do të thotë se po testojmë individët e dyshuar si kontakte të personave të infektuar dhe gjurmojmë edhe kontaktet e tyre, që mund të jenë edhe asimptomatikë. Nuk kemi parë ende një vend që të ketë shpëtuar nga vala e dytë e infektimit nga numri shumë i lartë i testimeve”, tha ministrja e Shëndetësisë.

Në këtë logjikë, strategjia jonë e testimit inteligjent është edhe më efektive se në vendet kryesore të BE-së. Ministrja tha se ato janë sot në izolim të dytë, pavarësisht testimit agresiv që kanë bërë: “Franca, një vend me shumë testime, me sistem super të zhvilluar, është karantinuar sërish. Edhe Britani, që ka shpenzuar 210 miliardë stërlina në menaxhimin e pandemisë, sot është në karantinë sërish”.

Manastirliu tha se ndërkohë po punohet për forcimin e kapaciteteve testuese dhe ndihmë do të jenë edhe testet e shpejta. Nga 300 mijë që janë porositur, pritet që 200 mijë të mbërrijnë. Krahas spitaleve covid, fasha do të shpërndahet edhe në disa prej spitaleve rajonale në faza të caktuara.

Ministrja shtoi se janë përditësuar edhe protokollet e shërbimit shëndetësor në banesë për të prekurit me Covid-19.