Akuzat ndaj Bashës për pjesëmarrje në proceset e UÇK-së, reagon PD: Deklaratat të orkestruara nga Rama

selia pd 1100x620

Partia Demokratike ka reaguar në lidhje me akuzat ndaj kryetarit Basha, se ka qenë hetues gjatë luftës së UÇK-së. Sipas PD-së këto deklarata janë të fabrikuara, të orkestruara nga Rama dhe në shërbim të tij, duke mohuar pjesëmarrjen e kreut të selisë blu në proceset ndaj anëtarëve dhe drejtuesve të UÇK-së.

“Partia Demokratike përbuz me neveri maskaradën e orkestruar nga Edi Rama kundër kreut të opozitës Lulzim Basha. Deklaratat e fabrikuara janë në shërbim të pushtetit të Edi Ramës dhe të pasurimit të paligjshëm të mercenarëve të tij, të fshehur pas incineratorëve.

Në asnjë ditë të punës së tij në UNMIK, Lulzim Basha nuk ka marrë pjesë në asnjë proces ndaj anëtarëve apo drejtuesve të UÇK-së. Ky është një fakt i konfirmuar edhe nga ish- Kryeprokurori i EULEX, Williamson”.

Sipas PD-së deklaratat e orkestruara nga Rama nuk e dëmtojnë Lulzim Bashën, por dëmtojnë imazhin e Kosovës dhe Shqipërisë. PD shprehet se Rama po zbaton të njëjtin skenar shpifjesh kundër Bashës, sikurse në 2005-ën dhe në 2011-ën.

“Deklaratat e rreme të orkestruara nga Edi Rama nuk dëmtojnë aspak Lulzim Bashën. Ato shkojnë kundër interesit kombëtar, duke dëmtuar imazhin e Kosovës dhe Shqipërisë.

Sa herë është para humbjes së zgjedhjeve, Edi Rama zbaton të njëjtin skenar shpifjesh kundër Lulzim Bashës. E bëri atë në 2005-ën, në 2011-ën dhe po riciklon sërish skenaret e denja për Sigurimin e Shtetit.

Të tillë skenarë imagjinarë kundër Lulzim Bashës do të dëgjoni pa ndërprerje deri në 25 Prill! Rama nuk ka asnjë alternativë dhe nuk ka me çfarë ta mbulojë tjetër dështimin e 8 viteve në pushtet. Përbuzeni Edi Ramën dhe mercenarët e tij!”, thuhet në deklaratën e PD-së.