Boçi në A2: Situata në shkolla është alarmante, qeveria sheh ëndrra, s’merr masa

Ish-deputeti i PD, Luçiano Boçi, u shpreh në A2 se shkollat janë kthyer në vatra të koronavirusit. Situata është kaotike, tha ai, dhe nevojiten menjëherë masa.

“Situata në raport me të vërtetën është alarmante. Unë nuk mund ta bëj dot atë diferencën që ka vatra familjare dhe nuk ka vatra në shkolla, ndërkohë në Vlorë janë mbyllur kopshte dhe presupozohet të mbyllen edhe shkolla. Nëse e lidhim edhe me denoncimet e ardhura në PD, numri i shkollave që janë vatra të infeksionit janë të shumta në Shqipëri. Kemi gati 1300 nxënës të infektuar deri tani, janë gati 600 mësues të infektuar dhe disa që kanë humbur jetën. Përballë këtyre shifrave, besoj se duhet të kishte një alarm të madh, që situata të kthehej drejt normalitetit. Këta flenë gjumë rehat, shohin ëndrra, nuk përballen dot me të vërtetën dhe të marrin masat që janë krejtësisht të domosdoshme”, u shpreh Boçi.

Një tjetër problem, sipas ish-deputetit të PD, është edhe vonesa e përgjigjeve të tamponëve, e cila sipas tij, shkon deri në 8 ditë.

“Testimet që kryhen me iniciativën personale të mësuesve dhe nxënësve zgjasin me kohë, ndërsa ata vijojnë frekuentimin e shkollës dhe rrezikohet përhapja e virusit. Nuk mund të ecë shëndetësia me iluzione, por me masa financiare”, u shpreh Boçi.

Sipas Boçit, në këtë situatë, në Ministrinë e Arsimit duhet të kishte një këshill ekspertësh me specialistë dhe që duhet të kishin ndërtuar një strategji konkrete, në mënyrë që shkollat të kishin një funksionim normal edhe nëse fëmijët do të duhet të ndiqnin mësimin online.