Dosja “Toyota Yaris”, bie akuza për 4 nga 6 të dyshuarit. Veç një në gjyq për 3,4 milionë euro

Gjykata e Tiranës pushoi akuzën për 4 nga 6 të dyshuarit e dosjes hetimore “Toyota Yaris”. Ata u hetuan lidhur me shumën e 3,4 milionë eurove “cash” të kapura në Portin e Durrësit në qershor 2018, në dy automjete që vinin nga Belgjika.

Hetimi që u parapri nga deklaratat në Parlament u pasua me një trazim të skenës politike, mundi të provojë dyshime vetëm për të pandehurin Elvis Vladi, i cili do të dërgohet në gjyq për “mosdeklarim të të hollave në kufi”.

Në gjyq do të shkojë edhe Agim Çeka, por vetëm për “armëmbajtje pa leje”. Për katër të dyshuarit e tjerë, gjykata argumentonte në vendim se nuk kishte asnjë provë që t’i përshinte ata në krim. Hetimi në fjalë nisi nga Prokuroria e Durrësit, por u kalua tek ish-Krimet e Rënda, që hetoi për disa muaj të dyshuarit për “pastrim parash” dhe “grup kriminal”, por më pas kaloi për kompetencë në Prokurorinë e Tiranës.

Pas veprimeve hetimore, akuza u rikualifikua në “mosdeklarim të të hollave në kufi”. Ish-gjykata për Krimet e Rënda e konsideroi të paarsyeshëm pretendimin e prokurorisë se shuma prej 3,4 milionë euro, s’mund të kishte prejardhje tjetër përveçse trafiqeve të paligjshme.

Nga ana tjetër, hetimi provoi se eurot ishin marrë në dorë nga gjermani Carlo Rizzato. Ai provoi për prokurorinë se i kishte pasur paratë në bankë dhe se ia kishte dhënë Vladit për ndërtimin e një biznesi në Shqipëri.

Vendimi i Gjykatës së Tiranës që pushoi hetimin për 4 të dyshuar është ankimuar nga Prokuroria në Apelin e kryeqytetit.