Fushatë e re me akuza të vjetra, PD e PS rikthejnë akuzat për “Toyota Yaris” dhe lobimin rus

5 muaj larg nga zgjedhjet, PD e PS shkëmbejnë akuza për financime nga paratë e pista. Sekretari i Përgjithshëm i demokratëve, Gazment Bardhi, deklaroi në rrjetet sociale se vendimi i gjyqtarëve për çështjen “Toyota Yaris” ka pas numrin dy të socialistëve, Taulant Ballën.

“Taulant Balla ka patur hallin e mbylljes së hetimeve të Toyota Yaris e 3,4 milionë eurove të kapura të padeklaruara. Ky është një krim i pazbardhur. Gjyqtarët e Taulantit mund të pushojnë hetimet, por nuk do munden kurrë të ndalojnë zbardhjen e të vërtetës. Herët apo vonë, mbështetësit dhe sponsorizuesit e pastrimit të parave të krimit do të përballen me drejtësinë”, tha Bardhi.

Nga Parlamenti, kreu i grupit të deputetëve socialistë foli për një tjetër çështje të mbyllur nga drejtësia, atë të lobimit të fushatës së PD-së në Amerikë, në 2017, pas të cilit, sipas akuzave të socialistëve, ishin rusët e kompanive “offshore”.

Nga pikëpamja e akuzave politike, për Toyota Yaris, çështja mes Bashës dhe Ballës kaloi në gjyq civil, ku kryedemokrati u gjobit me 500 mijë lekë për shpifje ndaj Ballës. Edhe lobimi i pretenduar rus për PD-në, i reduktuar vetëm në akuzën e falsifikimit të dokumentave, u pushua pasi nuk u gjetën elemente të veprës penale.