Hajdari në “Dita Jonë”: Nisma Thurje prezanton këtë muaj kandidatët e saj

Deputetja Rudina Hajdari, ka folur në “Dita Jonë” në A2 për pozicionimin e saj lidhur me zgjedhjet e 25 prillit.

Hajdari tregoi se Nisma “Thurje” do prezantojë kandidatët këtë muaj ndërsa theksoi sërish se konfikti i saj me këtë grupim u fry nga mediat dhe partitë e vjetra, që sipas saj i tremben të resë.

“Ne nuk duam që unë të jem personi ekskluziv, kur të themi diçka apo kur të lançojmë diçka. Gjithsecili ka peshën dhe rëndësinë e vet në atë grupim, ndaj nuk ka një lloj hierarkie. Ka një lloj strukturimi dhe ne jemi duke e organizuar në mënyrë kolegjiale këtë gjë dhe duam që të ketë një lloj strukturimi si do i ndajmë tematikat apo fushat e ndryshme mes nesh. Por, lançimin e kandidatëve do e bëjmë këtë muaj. Kemi zgjedhur kandidatë pothuajse për të gjitha qarqet. Ky grupim që ka anëtarë dhe të Nismës “Thurje” dhe bashkëpunimit që kemi pasur gjatë kësaj kohe, vazhdon. Kjo është e rëndëësishme. E kam shprehur dhe më herët se konflikti ynë u fry nga mediat. Ishte dashakeqës nga partitë e vjetra që duan të mbysin frymën e re. Ne nuk ramë pre e këtij presioni, ne vazhdojmë të jemi të fortë. Fillimet janë të rëndësishme dhe të vështira sepse po ndërtojmë diçka që fillon pas 25 prillit.”

Ajo tregoi se synimi i tyre është thithja e sa më shumë profesionistëve, që nuk iu është dhënë mundësia të shpalosin idetë e tyre.

“Synojmë të thithim sa më shumë profesionistë, akademikë, të fushave të ndryshme, që jetojnë jo vetëm në Tiranë, por edhe në rrethe të tjera, por që kanë një vision të qartë se si duan ta ndryshojnë komunitetin e tyre, por nuk iu është dhënë kjo mundësi sepse nuk kanë qenë të identifikuar me PS, PD apo LSI”, u shpreh Hajdari.