Mediu: Kjo qeveri ka shkatërruar institucionet, synojnë vetëm grabitjen e Shqipërisë

Kryetari i Partisë Republikane, Fatmir Mediu, zhvilloi këtë të hënë një takim me strukturat e partisë që ai drejton në Dibër.

Mediu u shpreh se ky qark është i zhytur në papunësi dhe varfëri. “Situata e rëndë shëndetësore e Covid-19, pamundësia për ta përballuar financiarisht, po shoqërohet me shkatërrimin e ekonomive familjare, dhe e vetmja mundësi ekonomike është ndihma nga emigracioni. Pjesa më aktive, rinia dhe profesionistët janë larguar në emigracion. Kjo situatë e rëndë, ku ekonomia po shkon drejt kolapsit, ka ardhur si pasojë e korrupsionit, shpërdorimit të taksave për interesa klienteliste nga qeveria Rama”, tha kryetari i PR, Fatmir Mediu.

Sipas Mediut, qeveria aktuale po shkatërron çdo mundësi që Shqipëria të bëhet pjesë e Bashkimit Europian. “Qeveria Rama ka shkatërruar shtetin dhe institucionet. Për ta, njerëzit, liritë dhe të drejtat e tyre, nuk kanë asnjë vlerë. Vlerë ka vetëm pushteti dhe korrupsioni, vjedhja dhe grabitja e të sotmes dhe të ardhmes së Shqipërisë dhe shqiptarëve. Përballë kësaj situate, opozita, e djathta, duhet të bashkojë shqiptarët për ndërtimin e shtetit  të qytetarëve dhe brenda 4-vjeçarit të parë, ta bëjë Shqipërinë vend anëtar të BE, siç e bëri vend anëtar të NATO-s. Platforma e saj duhet të jetë gjithëpërfshirëse, për ndërtimin e shtetit, institucioneve, luftën kundër krimit dhe korrupsionit, reformat në ekonomi, taksa e sheshtë 9%, mbështetja e biznesit, punësimit, reformat në arsim, në shëndetësi dhe bujqësi, janë rruga e vetme për të ndërtuar një Shqipëri Europiane.

Më tej, Mediu theksoi se opozita s’duhet të humbasë kohë. Ajo nuk ka çfarë të presë, por duhet të bashkohet në çdo skaj, në Dibër dhe mbarë Shqipërinë, sepse Rama e ka filluar dhe nuk do të ndalet në qëllimin e tij, për manipulimin e zgjedhjeve të 25 prillit.

Më tej, ai komentoi edhe akuzat e ngritura ndaj krerëve të UÇK-së për krime lufte. “Absurde dhe antishqiptare janë debatet e nxitura qëllimisht rreth “Shtëpisë së Verdhë” nga Rama dhe sekti i tij. Ato janë një lojë politike antikombëtare, në kurriz të Kosovës, që i interesojnë vetëm Vucicit dhe Beogradit. Qartësisht për Ramën, shqiptarët në Kosovë dhe Shqipëri, janë  kundërshtarë, ndërsa Vucici partner. Sjellja e Tiranës zyrtare, dhe bashkëpunimi me Beogradin, duke anashkaluar Kosovën, i ka dhënë Vucicit mundësinë që të shfaqet si njeriu që mund të negociojë dhe bashkëpunojë me shqiptarët, në një kohë që lufton dhe paguan për të hequr njohjet e pavarësisë së Kosovës nga njëra anë, dhe është angazhuar në sulmin kundër lidershipit të Kosovës me akuza fals dhe kriminale. Në 2013, kur Rama erdhi në pushtet, Shqipëria ishte vend anëtar i NATO-s, liberalizoi vizat dhe ishte pranë BE, në marrëdhënie shumë të mira me SHBA, ndërsa Serbia ishte kundërshtare e BE, Amerikës dhe NATO-s. Sot, Serbia është më pranë BE, ka ndërtuar marrëdhënie në nivel të lartë me SHBA, ndërsa Shqipëria ka bërë vetëm regres, për shkak të regjimit të korruptuar që ka dalë kundër BE.

“Deklarata e Vuçiç duke krahasuar Ballkanin me Nagorno-Karabak, tregon qartë se ai është i njëjti që ka qenë, në shërbim të Miloshevicit, duke masakruar shqiptarët, dhe për më tepër, me qëllime të qarta për të ricikluar Serbinë e Madhe, me mbështetje të aktorëve të huaj, jo ballkanikë, që janë kundërshtarë të BE, Amerikës dhe NATO-s. Shqiptarët duhet të zgjohen! Shqipëria duhet të sillet si vend anëtar i NATO-s, të ngrejë në nivel të diskutimit politik në NATO, qëndrimet e Serbisë, dhe ushtarakë, armatimin ofensiv të saj nga Rusia dhe vendet e tjera”.