Ndryshimet në buxhet/ 5,2 miliardë lekë shtesë do të mbulohen nga të ardhurat e TVSH-së

Deputetët në Parlament i kanë bërë ndryshime variantit të Ministrisë së Financave për buxhetin 2021.

Ata kanë shtuar me 5,2 miliardë lekë shpenzimet për disa zëra, ku kryesoret janë rimbursimi i ilaçeve nga COVID-19 me një vlerë prej 1,2 miliardë lekësh; 2,5 miliardë shtesë për pagesën e papunësisë dhe ndihmën ekonomike; 200 milionë lekë shtesë për skemat ujitëse të Ministrisë së Bujqësisë; 54 milionë lekë shtesë për Ministrinë e Infrastrukturës dhe 50 milionë lekë më shumë për Ministrinë e Transportit.

Gjithashtu, janë rritur fondet për disa institucione, si për Kuvendin e Shqipërisë me 100 milionë lekë, për Kontrollin e Lartë të Shtetit me 14 milionë lekë dhe Ministrinë e Kulturës me 600 milionë lekë, që do të jepen nga Bashkia e Tiranës për ndërtimin e Teatrit Kombëtar. 

Po ku do të gjenden paratë? Tre janë zërat kryesorë nga ku do të gjenerojnë 5,2 miliardë lekë shtesë të shpenzimeve. Kështu, do të reduktohen me 310 milionë lekë shpenzimet e parashikuara për censusin e popullsisë dhe banesave, i cili do të zbatohet në vitin 2022; do të reduktohen shpenzimet për investime në Ministrinë e Mbrojtjes me 300 milionë lekë dhe do të rriten të ardhurat tatimore nga TVSH me 4,6 miliardë lekë.

Edhe pse në pamje të parë, duket se burimet për mbulimin e rritjes së shpenzimeve ekzistojnë, në pikëpyetje të fortë është pikërisht zëri kryesor, ai i rritjes së të ardhurave nga TVSH-ja. Kjo pasi Tatimi mbi Vlerën e Shtuar reflekton konsumin e brendshëm, i cili është më i godituri nga pandemia e COVID-19 dhe rrjedhimisht, të ardhurat që sigurohen prej tij janë të pasigurta për t’u realizuar.