Pacientët në vetizolim, mjeku i familjes: Antibiotikët dhe bombolën e oksigjenit nuk i sugjerojmë

Përhapja e infeksionit nga COVID-19, ka rritur ndjeshëm numrin e të sëmurëve aktivë duke tejkaluar edhe të shëruarit. Shtimi i rasteve ndjehet veçanërisht nga mjekët e familjes. Këta të fundit nëpërmjet konsultave telefonike po ndjekin rastet e lehta dhe të mesme të të prekurve me koronavirus.

Një mjek familjeje ndjek dhjetëra pacientë në ditë ndërsa veç simptomave, në monitorim mbetet edhe niveli i oksigjenit në gjak.

“Një mjek mund të ndjekë rreth  20-30 pacientë në shtëpi. Parametri që ndiqet më me vëmendje është saturimi i oksigjenit që duhet të jetë mbi 92%, në të kundërt sugjerohet hospitalizimi. Për këtë arsyeje në këshillojmë pajisjen me një aparat oksimetër“, thotë për A2 Valbona Salko, mjeke e familjes e qendrës shëndetësore nr.2.

Frika për pasojat e sëmundjes i shtyjnë pacientët të blejnë edhe bombola oksigjeni për përdorim në shtëpi. Mjekët nuk e sugjerojnë këtë veprim, dhe as përdorimin e antibiotikëve pa recetë.

Mjekja Valbona Salko

“Marrja e bombolës së oksigjenit në shtëpi nuk është e rekomanduar, sepse me nivele të ulëta saturimi rekomandohet vetëm hospitalizimi. Edhe për antibiotikët ka debate, shpesh herë merren nga këshilla të miqve, ndërkohë që duhet marrë mendimi i mjekut”, shpjegon mjekja.

Beteja me COVID-19 për disa pacientë vijon edhe pas negativizimit. Ky virus lë disa pasoja në shëndetin e tyre, të cilat kërkojnë mbikëqyrjen nga mjeku i familjes.

“Nga ato më të lehtat, lodhja e shpejtë ose dhimbja e muskujve, deri te frymëmarrja e rende që mund të vazhdojnë për javë të tëra, ashtu si humbja e shijes”, thekson Salko.  

Mpiksja e gjakut dhe problemet në mushkëri janë po ashtu disa probleme që shfaqen te pacientët e shëruar nga ky virus, dhe ndjekja me mjekim është e nevojshme për çdo problem të mëvonshëm. Qeveria akordoi mbi 1.2 miliardë lekë për rimbursimin e ilaçeve për pacientët e infektuar nga koronavirusi.