Projektbuxheti, Milva Ekonomi: I bën ballë pandemisë, por planifikimet i udhëheq komiteti i ekspertëve

Kryetarja e Komisionit të Ekonomisë, Milva Ekonomi, shpjegoi në një intervistë në Ditarin e mëngjesit, në A2, disa detaje nga projektbuxheti i vitit 2021, i quajtur nga socialistët si buxheti i rimëkëmbjes, por që ka marrë edhe kritika nga opozita dhe ekspertë të ndryshëm të ekonomisë.

Ekonomi u ndal fillimisht te pjesa e fondeve të parashikuara për shëndetësinë, ku 1,2 miliardë lekë janë alokuar si fond për rimbursim për personat që janë kuruar në shtëpi pasi janë prekur nga koronavirusi. “I gjithë buxheti i shëndetësisë pëson një rritje. Masat merren për t’i bërë ballë pandemisë nga të gjitha anët. Besoj që ky buxhet, me këto rritje, parashikon që t’i bëjmë ballë pandemisë. Por janë vendimet e komitetit të ekspertëve që udhëheqin planifikimet”, tha Ekonomi.

Në projektbuxhet janë plot 6 miliardë lekë që parashikohen për situatën e krijuar nga pandemia, por nuk janë të përcaktuara. “Një pjesë shkon për vaksinën, një pjesë për barnat dhe pjesa tjetër janë shpenzime rrjedhëse që do të ndodhin në shëndetësi”, shpjegoi Ekonomi.

“Vëmendja nuk është vetëm te pandemia, por edhe sektorë të tjerë që duhet t’i japin një “boost” ekonomisë. Rindërtimi është proces i pandalshëm, ndërkohë që shtëpitë individuale, pallatet, shkollat po ndërtohen. Së dyti, i është dhënë mbështetje sektorit të bujqësisë”, shtoi ajo. Në turizëm, tha Ekonomi, është menduar që t’i jepet një mbështetje “atyre nënsektorëve që sjellin më shumë të ardhura. Duhet të stimulojmë edhe konsum të turizmit të brendshëm, por edhe promovim në arenën ndërkombëtare”.

Një sektor tjetër që mori vëmendje, është mbështetja e punonjësve që vijnë nga sektorë prioritarë, por kanë qenë në “ngrirje”, si naftëtarët. “Të gjitha këto u reflektuan në projektbuxhet”, tha Ekonomi. “Situata e naftëtarëve të cilët dalin në pension do të jetë një pjesë që diskutohet rast pas rasti. Instituti i Sigurimeve Shoqërorë do të konsiderojë të gjithë vendimet e qeverisë”.

Ekonomi nuk përjashtoi që mund të ketë ndryshime në të ardhmen. “Deri tani e kemi të mundur që të kemi likuiditet për të mbajtur këtë buxhet. Por do të punojmë për të parë alternativën e re”, shtoi ajo.