Raporti i FBI-së: Krimet e urrejtjes u rritën me 2.7 për qind në 2019

fbi urrejtja 1100x620

Krimet me bazë urrejtjen pësuan një rritje me 2.7 për qind, vitin e kaluar në SHBA,duke arritur nivelin e tyre më të lartë në më shumë se një dekadë, thuhet në një raport të ri të Byrosë Federale të Hetimit (FBI), raporton Zëri i Amerikës.

Sipas këtij raporti, në 2019 u shënuan 7,314 incidente të klasifikuara si krime urrejtjeje nga 7,120 në 2018, numri më i lartë i incidenteve të kësaj natyre që nga viti 2008, sipas raportit të publikuar, të hënën.

Krimet me bazë urrejtjen u rritën me gati 21 për qind gjatë tre viteve të para të administratës së Presidentit Donald Trump, një periudhë që u shënua nga një gjallërim i një lëvizjeje gjithnjë e më të dhunshme të ekstremit të djathtë. Megjithëse, Trump i ka denoncuar supremacistët e bardhë, përfaqësuesit e organizatave që vëzhgojnë ekstremizmin, vërejnë se krimet me bazë urrejtjen janë rritur ndaj atyre grupeve të cilat kanë qenë objekt sulmesh nga presidenti. Për shembull, krimet me bazë urrejtjen kundër anëtarëve të komunitetit hispanik në SHBA, u rritën me 53 për qind gjatë tre viteve të para në detyrë të zotit Trump, sipas të dhënave të FBI-së.

“Rritjet e fundit të krimeve me bazë urrejtjen japin një panoramë të re, ku sulmet kundër grupeve viktima, jo vetëm që po rriten, por kjo rritje po nxitet gjithashtu nga një përhapje më e madhe e akteve më të dhunshme”, thotë Brian Levin, drejtor ekzekutiv i Qendrës për Studimin e Urrejtjes dhe Ekstremizmit në universitetin shtetëror të Kalifornisë.

FBI-ja përcakton si krime me bazë urrejtjen ato vepra penale të motivuara nga raca, etnia, origjina, feja, orientimi seksual, paaftësia fizike ose mendore, gjinia dhe identiteti gjinor.

Megjithëse, shumica e krimeve me bazë urrejtjen nuk janë të dhunshme, raporti tregon një rritje të akteve të dhunshme si sulmet dhe vrasjet.

Vrasjet e motivuara nga urrejtja u dyfishuan në një shifër rekord prej 51 të tillash, të nxitura nga sulme të kryera nga supremacistët e bardhë, përfshirë masakrën e gushtit 2019 në një supermarket në El Paso të Teksasit, ku u vranë 23 persona.

Viti i kaluar shënoi rritjen e tretë radhazi të vrasjeve të motivuara nga urrejtja. Sipas të dhënave të përpiluara nga Qendra për Studimin e Urrejtjes dhe Ekstremizmit, vrasjet e kryera nga supremacistët e bardhë dhe ekstremistët e tjerë të djathtë pësuan gjithashtu rritje për të tretin vit me radhë në 2019.

“Këta vrasës racistë mbizotëruan kategorinë e përgjithshme të vrasjeve të motivuara nga ekstremizmi me një total më të lartë se të gjitha vrasjet me bazë ekstremizmin të kombinuara së bashku për vitin 2018”, thuhej në raportin e kësaj qendre.

Numri i sulmeve me pasoja të rënda, të nxitura nga urrejtja, u rrit për të gjashtin vit me radhë në nivelin më të lartë që nga viti 2001, sipas raportit të FBI-së. Vitin e kaluar u shënuan 866 sulme të rënda, nga 818 një vit më parë.

Sikurse në vitet e mëparshme, shumica e krimeve me bazë urrejtjen të raportuara në 2019 ishin të motivuara nga raca dhe etnia, ndjekur nga feja si një tjetër shkak.

Krimet e urrejtjes me bazë anti-semitizmin u rritën me 14 për qind, në 953 raste, niveli më i lartë që nga viti 2008. Sipas Qendrës për Studimin e Urrejtjes dhe Ekstremizmit “2019 ishte një nga dy vitet e dekadës së fundit me mbi 900 krime urrejtjeje që kishin për bazë anti-semitizmin”.

Krimet e urrejtjes kundër hispanikëve u rritën me rreth 9 për qind, në 527 raste në 2019, numri më i lartë që nga viti 2010, ndërsa sulmet kundër komunitetit me origjinë arabe u rritën me 16 për qind në 95. Ndërkohë krimet e urrejtjes kundër myslimanëve ranë për të tretin vit me radhë, nga 188 në 176, pasi arritën kulmin me 308 raste në vitin 2016.