Situata e Covid-19 në Vlorë, tamponët shumë më pak sesa rastet që kërkojnë ndihmë

Situata e përhapjes së infektimit me Covid-19 në Bashkinë e Vlorës sa vjen e rëndohet më shumë. Rastet e shtuara tanimë pranohen si nga Urgjenca e spitalit rajonal, ashtu edhe nga mjekët e familjes.

Ndërkohë, që numri i tamponëve që u bëhen personave është shumë herë më i ulët, jo vetëm nga kërkesat, por rezulton shumë i ulët edhe me rastet që paraqiten në urgjencë apo edhe te klinikat dhe laboratorët privatë.

Shtimin e numrit të personave të infektuar me Covid-19 e pranojnë edhe mjekët e familjes, të cilët nuk ngurrojnë të shprehen se personat e infektuar mund të jenë shumë më tepër nga ato që vërtetohen zyrtarisht.

Covid-19 ka prekur edhe sistemin parashkollor në Bashkinë e Vlorës, ku deri më tani numërohen tri kopshte të mbyllura dhe disa dhjetëra mësuese dhe nxënës të prekur.