Uragani “Iota” kërcënon me erëra katastrofike dhe përmbytje

iota 600x338

Uragani Iota është forcuar, ndërsa vërshon drejt Amerikës Qendrore, kurse meteorologët paralajmërojnë “erëra potencialisht katastrofike” dhe “stuhi të rrezikshme për jetën”.

Me erëra deri në 160mph (260 km / orë), tani është një stuhi e kategorisë pesë, më e forta në shkallën Saffir-Simpson.

Iota parashikohet të zbresë në Nikaraguan veri-lindore dhe Hondurasin lindor, ndërkohë që disa pjesë të Amerikës Qendrore do të mbeten nën ujë nga kalimi i Uraganit Eta.

Në këshillimin e saj të fundit publik të hënën, Qendra Kombëtare e Uraganeve e SHBA-së (NHC) tha se Iota kishte arritur kategorinë e pestë.

Para se të arrijë në Amerikën Qendrore, stuhia parashikohet të kalojë mbi Providencia, një ishull kolumbian në Karaibe.

NHC ka paralajmëruar që reshjet e mëdha të shiut nga Iota mund të shkaktojnë “përmbytje të rrezikshme për jetën dhe përmbytje lumenjsh në pjesë të Amerikës Qendrore”.

Iota shkaktoi përmbytje në Kartagjenë, një destinacion i njohur turistik në brigjet e Karaibeve të Kolumbisë.

Shirat mund të jenë shkatërrues veçanërisht në zonat tashmë të përmbytura nga Uragani Eta dy javë më parë, ku mbetën 200 viktima. Zona e goditur më keq ishte rajoni qendror i Guatemalës Alta Verapaz, ku rrëshqitjet e dheut fundosën dhjetëra shtëpi në fshatin Quejá.

Të paktën, 50 vdekje u raportuan diku tjetër në Guatemalë.

Hondurasi, Guatemala dhe Nikaragua kanë evakuuar banorët që jetojnë në zona të ulëta dhe pranë lumenjve, në rajonin bregdetar të Atlantikut, të cilin pritet ta godasë Iota.

Një banor i Bilwi, një qytet bregdetar në Nikaragua, tha se disa banorë po refuzonin të linin shtëpitë e tyre nga frika e kapjes së koronavirusit në strehimoret e përbashkëta.

Hondurasi dhe qendra e tij industriale, San Pedro Sula, po përgatitet për përmbytje të mëdha.