Zv/ministri i Shëndetësisë tregon në A2 se kur do të jetë e disponueshme vaksina në vendin tonë

Zv/ministri i Shëndetësisë, Albert Nikolla, zbuloi në A2 se kur do të jetë e disponueshme vaksina në vendin tonë dhe shtoi “se vendi ynë do të sigurojë 120 000 vaksina fillimisht”.

“Jemi pjesë e kontratës Covax, kemi qasjen e parë në momentin që del vaksina. Jemi para një lajmi pozitiv, të jashtëzakonshëm. Besoj se që në fillim të vitit të ardhshëm do ta kemi vaksinën të disponueshme në vendin tonë”, zbuloi Nikolla.

Ai shpjegoi në një intervistë në studion e “Ditari” se si do të funksionojë rimbursimi i ilaçeve për njerëzit që kalojnë Covid-19 në banesë.

“Rimbursimi përfshin paketa të miratuara nga mjeku i familjes. Nëse dikujt i shkrepet të blejë bombola oksigjeni, ne nuk rimbursojmë. Nuk funksionon kështu, por funksionon në mënyrë të qartë, në bashkëpunim me mjekun e familjes. Personat do të ruajnë recetat dhe do të rimbursohen”, tha Nikolla.

Sipas tij, edhe nëse situata përkeqësohet, autoritetet do të jenë në gjendje ta përballojnë: “Sido që të shkojë situata, ne do ta përballojmë. Jemi të përgatitur për çdo situatë, dhe që të gjithë ata që kanë nevojë do të marrin shërbimin më dinjitoz të mundshëm për një shtet normal”.

Kur u pyet nëse do të ketë një mbyllje tjetër, Nikolla u përgjigj: “Nuk besoj që të ndodhë. Komiteti Teknik bën llogaritë e përditshme të të dhënave që vijnë dhe përcakton indeksin e transmetueshmërisë. Në jemi ndër vendet në rajon me infektimin më të vogël dhe vdekshmërinë më të ulët. Ne po bëjmë gjithçka që të mos ndalohen aktivitetet më të rëndësishme”.

Më tej, Nikolla theksoi se “shumë shpejt do të vijnë testet e shpejta në të gjitha strukturat spitalore me referencë mjekun e familjes”.