76-vjetori i Çlirimit të Tiranës, Meta: Të punojmë për një Shqipëri të lirë e demokratike

ilir metaaa 1100x620

Presidenti i Republikës, Ilir Meta, zhvilloi homazhe në bustin e Ushtarit të Panjohur me rastin e 76-vjetorit të Çlirimit të Tiranës.

Në këtë ditë që shënon një ngjarje solemne për historinë e vendit, Kreu i Shtetit u shpreh se ky është dhe një moment reflektimi për të çuar deri në fund amanetet e dëshmorëve për një Shqipëri demokratike e të lirë.

“Kënaqësi ta nisja sot ditën me një vizitë në familjen e heroit Estref Caka, një nga komandantët që dha jetën për çlirimin e kryeqytetit. Përulem me respekt përpara të gjithë dëshmorëve që dhanë jetën për çlirimin e Tiranës. Vetëm në Mushketa nazistët lanë mbi 2000 kufoma. Rreth 7000 nazistë që erdhën nga Greqia e patën të pamundur falë operacionit të forcave partizane. Çdo rrugë e Tiranës u la me gjak për javë të tëra. Mirënjohje për popullin e Tiranës që u bë njësh me çlirimtarët dhe që i ktheu shtëpitë në fortifikata.

Në këtë ditë kaq të rëndësishme është e nevojshme jo vetëm të ulemi me nderim, por të punojmë për të çuar deri në fund amanetet e tyre për një Shqipëri të lirë e demokratike, ku shqiptarët jetojnë të lumtur dhe që nuk largohen nga ky atdhe ku gjaku është derdhur lumë.

Sot, është një ditë reflektimi për të bërë më tepër që Shqipëria të mos e humbasë drejtimin europian. Do t’ia dalim bashkë për të rikthyer shpresën”, tha mes të tjerash Meta.