Baba Mondi takon Konsullin e Shqipërisë në Liban, i kërkon vijimin e punës për nxjerrjen e shqiptarëve nga kampet siriane

vlcsnap 2020 11 17 19h06m48s096 1100x620

Kryegjyshi Botëror, Shenjtëria e Tij, Haxhi Dede Edmond Brahimaj, priti në audiencë dhe takim në Selinë e Kryegjyshatës Botërore Bektashiane, mikun e tij të veçantë, Konsullin e Shqipërisë në Liban, z. Marc Ghorayeb.

Pasi falenderoi shumë mikun e tij të hershëm për misionin e tij të madh humanitar, për kontributin e jashtëzakonshëm që ka dhënë e vazhdon të japë për nxjerrjen nga kampi që mbahet i rrethuar nga organizatat terroriste të ISIS-it, fëmijë shqiptarë së bashku me familjet e tyre, Lideri Botëror i Bektashizmit, Baba Mondi, i parashtroi Konsullit të Shqipërisë në Liban nevojën e patjetërsueshme të vazhdimësisë së misionit të madh njerëzor për të atdhesuar sa më shumë shqiptarë që kanë rënë pre’ e rrymave të ndryshme regresive.

Kryegjyshi i kërkoi mikut të tij që të punojë pa ndërprerje për këtë mision të madh, për faktin se myslimanët shqiptarë nuk kanë asgjë të përbashkët, asnjë lidhje me rrymat terroriste që po bëjnë krime çnjerëzore dhe po çoroditin mbarë shoqërinë.

Konsulli i Shqipërisë në Liban i premtoi Liderit Botëror të Bektashizmit se, dhe me ndihmën e Shtetit Shqiptar, ai do të vazhdojë dhe do të punojë shumë për misionin. Në vazhdim të bashkëbisedimit, Konsulli i premtoi se do të nisë përsëri aksionin me ekipin e tij. Miku i Kryegjyshit Botëror u zotua se do të bëjë të pamundurën për të nxjerrë nga kampi famëkeq të gjithë fëmijët, të rinjtë e familjet shqiptare që ende ndodhen brenda në kampe dhe nuk kanë mundësi për t’i shpëtuar terrorit të ISIS-it.