Buxheti, Gjylameti: Kryefjala është mbështetja për sektorin e shëndetësisë

Blerina Gjylameti, deputetja e Partisë Socialiste, deklaroi në një intervistë për “Ditari” në A2 se kryefjala e buxhetit të vitit të ardhshëm është “mbështetja për sektorin e shëdetësisë, si një nga sektorët e prekur më shumë” nga kriza e koronavirusit.

“Është buxheti i duhur për të përballuar luftën kundër Covid-19. Po adresojmë edhe problematikën e rimbursimit të ilaçeve. Në anën tjetër, po rrisim me 15% pagat e mësuesve. Po i përgjigjemi edhe familjeve që kanë patur dëme në banesa nga dy tërmetet”, tha Gjylameti.

Kur u pyet nëse buxheti ka të parashikuar edhe një valë të tretë të koronavirusit, deputetja socialiste u shpreh: “Kemi të parashikuar në buxhet dyfishimin e ndihmës ekonomike edhe për vitin 2021, me një fond për situata dinamike si kjo e pandemisë. Edhe vende shumë më të zhvilluara se ne janë në faza të analizave të situatës dhe përshtatjes me të. Vitin e kaluar e rishikuam dy herë buxhetin në mbështetje të asaj që po ndodhte në vend”.

Sa i përket marrjes në konsideratë të pezullimit të pagesave për PPP, Gjylameti theksoi se këto kontrata do të shikohen rast pas rasti: “Kemi rishikuar disa pagesa të partneritetit publik privat, por e rëndësishme është që të mos ndërpresim shërbimet për qytetarët. Situatën do ta ndjekim në vijimësi dhe do të shohim se çfarë do të bëjmë”.

Në lidhje me çështjen e “Shtëpisë së verdhë”, Gjylameti nënvizoi se “sa kohë që në Hagë po gjykohen krerët e UÇK-së, ne si shqiptarë kemi detyrim që të mbajmë një qëndrim për çfarë ka ndodhur në territorin shqiptar”.

“Janë akuza të rënda, kemi detyrimin për ta zbardhur këtë çështje. Është e rëndë që të përmendet një vend i Shqipërisë si një vend që janë kryer krime lufte. PS ka votuar kundër rezolutës që akuzonte atë që ishte kryer në Shtëpinë e Verdhë në Shqipëri”, deklaroi deputetja socialiste.