Furnizimi me ujë me ndërprerje. Sektori i nënfinancuar, ujësjellësit me humbje

“20 vjet, sa herë ka fushatë, thonë do t’iu japim ujë. Dhe pas 20 vitesh, prapë ujë nuk ka. 8 vite në pushtet, të isha në vendin e tij, do të kisha ikur. Do të thoja “më falni, por meqë nuk ju solla dot ujë, unë nuk e meritoj”. Kështu shprehej në 6 qershor 2013 Edi Rama.

Sot, 7 vjet më pas dhe në prag të mbushjes së këtij afati 8-vjeçar, kryeministri ndryshoi mendim. Gjatë bilancit të qeverisjes së tij për këtë sektor, Rama deklaroi se premtimi është realizuar vetëm për 23 zona urbane. Por, kjo nuk do të thotë që 23 bashki kanë sot furnizim pa ndërprerje.

Në fakt, Enti Rregullator i Ujit, institucioni përgjegjës për monitorimin e të gjitha shoqërive të ujësjellësve në vend, deklaron se uji 24 orë, duke përfshirë edhe zonat rurale, nuk ofrohet askund. Madje, shifra 1,1 milionë banorë me furnizim pa ndërprerje, llogaritet së bashku me fshatrat që kanë ndjeshëm më pak ujë dhe mbi bazën e një popullsie prej 4,3 milionë banorësh, në mungesë të një censusi.

Ndërkohë, kryeministri anashkaloi treguesit që vetë i mori për bazë kur tentoi të bënte reformën e ujit në vitin 2018. Sot, 2 vjet më pas, janë rritur lidhjet e paligjshme në rrjet, 43 nga 57 shoqëri nuk mbulojnë dot kostot dhe sektori ka një humbje vjetore prej 10,7 milionë eurosh.

Vetë ERRU vlerëson se nevojiten së paku 200 milionë euro në vit investime për të përmbushur tre direktivat europiane për ujin e pijshëm dhe ujërat e ndotura, kusht për anëtarësimin. Dhe këto janë vetëm të dhënat zyrtare të vetë qeverisë, por secili mund të bëjë fare mirë krahasimin me atë çfarë ndodh me rubinetin në shtëpinë e tij.