Gati mësimi në distancë? 140 fëmijë dhe 200 mësues në izolim, vendimi pritet nga ekspertët

Ministria e Arsimit përgatitet për skenarin e tretë, për mësimin në distancë, edhe pse ende nuk flitet për mbyllje të shkollave.  

Specialistët e arsimit thonë se kanë bërë gati të gjitha orët mësimore për transmetimin e tyre në mënyrë të unifikuar dhe përmes televizionit. Gjithçka do të varet nga ecuria e pandemisë dhe përhapja e virusit.

Ashtu si ekspertët e Komitetit Teknik, edhe përfaqësues të arsimit thonë se shkollat aktualisht nuk janë vatra të infeksionit. Nga 706 fëmijë të prekur në të gjithë vendin, 140 janë aktualisht të sëmurë aktivë, ndërsa mësues janë më shumë. 200 arsimtarë janë të infektuar ose në izolim si raste kontakti.

Për fat të mirë, deri tani nuk ka humbje jete te fëmijët, të cilët e kanë kaluar në forma të lehta koronavirusin. Por, nuk ka ndodhur kështu me mësuesit e tyre. 7 arsimtarë nuk i kanë mbijetur komplikacioneve të Covid-19 dhe pjesa më e madhe e tyre janë infektuar pas fillimit të shkollës.

Humbje jete janë shënuar edhe në radhët e pedagogëve, të cilët këtë vit akademik, mësimin po e zhvillojnë në distancë.