Komisioneri Publik Dariel Sina kualifikohet për Gjykatën e Lartë

Këshilli i Lartë Gjyqësor vendosi të kualifikojë kandidatin Dariel Sina dhe të vijojë procedurën për emërimin e tij në Gjykatën e Lartë. Pas anëtarëve aktualë Sokol Sadushi, Ilir Panda e Ervin Pupe, ai synon të jetë i katërti nga anëtarët që vijnë nga radhët e juristëve të spikatur.

Sina, që mban aktualisht pozicionin e Komisionerit Publik në procesin e vetingut, kaloi me sukses verifikimin e thelluar të kushteve ligjore, pasurisë dhe figurës.

Në vazhdim ai do të intervistohet dhe pikëzohet nga KLGJ dhe t’i propozohet emërimi tek Presidenti i Republikës. 

Aktualisht Gjykata e Lartë ka vetëm 3 nga 19 anëtarët që duhet të ketë në kushte normale, ndërsa dosjet që presin gjykimin janë më shumë se 35 mijë. Paralelisht KLGJ ka në proces verifikimin e 23 kandidatëve gjyqtarë për 11 vende të lira në Gjykatën e Lartë.

Në mbledhjet e zhvilluara gjatë tre muajve të fundit është vendosur kualifikimi i 12 prej tyre. Për disa të tjerë që ende nuk janë përballur me vetingun, KLGJ ka kërkuar kalimin e tyre me përparësi në filtrimin e trefishtë.

Plotësimi me anëtarë i Gjykatës së Lartë përveçse do të rikthente në normalitet punën në këtë gjykatë, do t’i krijonte asaj mundësinë të zgjidhte 3 anëtarë për në Gjykatën Kushtetuese, duke kthyer në funksion edhe këtë të fundit.