Pandemia, Kryemadhi: Nuk duhen mjekë që aktrojnë në filmat e Ramës, por protokoll i saktë

kryemadhi 1 1100x620

Situata e krijuar me pandeminë në vendin tonë ishte në qendër të diskutimeve që kryetarja e Lëvizjes Socialiste për Integrim, Monika Kryemadhi zhvilloi me gazetarët.

Duke e konsideruar Covidin një virus që mund të mposhtet, Kryemadhi u shpreh se për fitimin e kësaj beteje nuk ka nevojë për mjekë që aktrojnë, por për një strategji të saktë kundër pandemisë.

“Nga ana tjetër në të vërtetë shikojmë reparte, mjekë që aktrojnë në filmat e Ramës dhe nga ana tjetër shohim dhe ambulanca që rrijnë në radhë për t’u futur në spital. Ai që është plani me 5 pika i opozitës, ndërsa ka pasur dhe propozime të tjera që kanë ardhur si rezultat për krijimin e një protokolli të saktë, siç ndodh në shëndetësinë e çdo vendi, që ka një protokoll për çdo sëmundje, ashtu edhe për Covid 19.

Qeveria shqipare, Ministria e Shëndetësisë duhet të kenë një protokoll të menaxhimit të kësaj situate. Dua të them se, sot më shumë se kurrë, shqiptarët kanë nevojë për sinqeritet nga qeveria. Përballja me gënjeshtrat që shikojmë, çdo ditë, sikur qytetarët po shërohen dhe janë në kushte fantastike nëpër spitale, kur thuhet që njëri përfaqësues i shëndetësisë thotë që ne rimbursojmë të gjitha ilaçet e Covid, ndërsa sekretari i përgjithshëm i ministrisë së Shëndetësisë thotë jemi në diskutim për të gjetur rrugën dhe mënyrën ligjore për të rimbursuar ilaçet e Covid, brenda ditës”, tha Kryemadhi.

Sipas Kryemadhit, paniku më i madh që kanë qytetarët sot është se nuk mund të paguajnë faturat e shtrenjta të ilaçeve për të kuruar virusin vdekjeprurës.

“Nuk është e pamundshme, Covidi nuk është i pamundshëm, është një virus që mundet si çdo virus tjetër, por kërkon jo veç solidaritet, por edhe angazhim dhe vëmendje të shtetit për t’iu dhënë njerëzve mundësinë që ta përballojnë këtë. Sot, pjesa më e madhe e shqiptarëve gjenden nën atak paniku për shkak të mungesës financiare që ata kanë për të paguar mjekimin e kësaj situate”, shtoi kryetarja e LSI.