“Presim marrëdhënie të mira me Biden”, Vjosa Osmani: Trump vuri në dyshim mbështetjen për Kosovën

osmani 1100x620

Kosova pret që marrëdhëniet e saj me Shtetet e Bashkuara të Amerikës të përmirësohen me zgjedhjen e Joe Biden, president. Kështu thekson presidentja në detyrë, Vjosa Osmani. Në një intervistë për Financial Times, që nënvizon se Biden nuk është vetëm një mik i Kosovës, pasi sipas saj, ai i di shumë mirë vuajtjet që kaloi vendi.

“Joe Biden e di të vërtetën, dhe e vërteta është shumë e thjeshtë. Serbia e humbi Kosovën sepse abuzoi me parimin e sovranitetit dhe integritetit territorial duke vrarë njerëzit që jetuan në atë territor, duke kryer gjenocid, krime lufte dhe krime kundër njerëzimit. Ai e di të vërtetën dhe nuk do të përpiqet ta ndryshojë të vërtetën”, u shpreh Vjosa Osmani, presidente në detyrë e Kosovës.

Osmani foli edhe për marrëveshjen e 4 shtatorit të nënshkruar në Shtëpinë e Bardhë mes Kosovës dhe Serbinë, duke kërkuar që të mos implementohet përpara se të mësohet qëndrimi i administratës së re.

Presidentja në detyrë shtoi se mbështetja e SHBA-së për Kosovën u vendos në dyshim nën administratën e presidentit Donald Trump. Ndërsa Financial Times shkruan se Uashingtoni inkurajoi rrëzimin e qeverisë antikorrupsion pasi kryeministri Albin Kurti nuk ishte i interesuar të negocionte me Serbinë.

Në vend të tij, erdhi Avdullah Hoti me një koalicion të brishtë, i cili nënshkroi ujdinë e ndërmjetësuar nga SHBA në shtator, për normalizimin ekonomik me Serbinë.