Procesi i zgjerimit, Roth: Shqipëria ka ende dy pika për të zgjidhur por ka optimizëm, veto bullgare po bllokon gjithçka

Roth 1100x620

Ministri gjerman për Europën Michael Roth raportoi pak më parë mbi një mbledhjen e ministrave për Çështjet Europiane në BE, ku ndër të tjerat u diskutua edhe për çështjen e zgjerimit.  

Sipas tij, BE-ja ende nuk ka përcaktuar një datë për fillimin e Konferencës e Parë Ndërqeveritare që do t’i hapë rrugën anëtarësimit të Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë, më së shumti për shkak të vetos të Bullgarisë që pretendon më parë nga Shkupi zyrtar zgjidhjen e disa problematikave që kanë të bëjnë me minoritetet dhe gjuhën maqedonase, si dhe braktisjen e çdo pretendimi territorial.

“Duhet të zgjidhen problemet bilaterale përpara se të caktohet Konferenca e Parë Ndërqeveritare”, ishin fjalët e ministrit gjerman.

Por i pyetur më në detaj për situatën shqiptare, që gjithsesi është e lidhur me atë të Maqedonisë së Veriut për sa ai përket çeljes së negociatave, Roth tregoi optimizëm.

“Janë ende dy pika, ajo për ngritjen e Gjykatës Kushtetuese dhe implementimi i ligjit për Kodin Zgjedhor, por ka optimizëm”, tha Roth, që kujtoi edhe se “procesi i vetingut ka vështirësitë e veta, në një vend të vogël ku përzgjedhja e kandidatëve të kualifikuar bëhet më e vështirë dhe e gjatë”.  

Roth nuk përmendi pengesat dhe skepticizmin e vendeve specifike si Holanda, siç ka ndodhur në të kaluarën, madje theksoi se “të gjithë vendet janë pozitivë për procesin, përtej Bullgarisë që ka probleme që gjykon të rëndësishme me Maqedoninë e Veriut”, që nuk lejon të përcaktohen data të qarta, edhe pse objektivi është që gjithçka të zgjidhet, mundësisht, para mbylljes së presidencës gjermane.