Të fundit në mirëqeverisje, Preçi rendit sfidat për qeverinë e pas 25 prillit

Në një kohë kur roli i shtetit është vendimtar për të përballuar kriza si ajo e shkaktuar nga Covid-19, Shqipëria është ndër vendet më të keqqeverisura në Europën Lindore, sipas një raporti të BERZH. Madje në këtë indikator vendimtar për ekonominë e tregut, vendi ynë ka bërë regres gjatë 4 viteve të fundit.

Sipas ekspertit, Zef Preçi, një rezultat i tillë ishte i pritshëm, duke gjykuar institucionet e dobëta dhe të politizuara, por në kushtet aktuale merr një rëndësi kritike.

Sipas ish-ministrit të Ekonomisë, Zef Preçi, qeverisja e mirë duhet të jetë fokusi i qeverisë që do të dalë nga zgjedhjet e 25 prillit. E për këtë ka përpara disa sfida kryesore.

Me termin mirëqeverisje kuptohet shfrytëzimi maksimal, në mënyrë transparente dhe me eficiencë i parave të taksapaguesve dhe roli i administratës në garantimin e konkurrencës në treg dhe mbrojtjes së interesave të publikut. Çdo devijim nga këto parime lidhen me keqqeverisjen. E këtu qeveria, sipas vlerësimeve të BERZH ka ngelur në klasë.